E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapet beteja për krerët e institucioneve Kushtetuese

Pakti
U mbaron mandati 4 anëtarëve të Kushtetueses, dy të Gjykatës së Lartë dhe avokatit të popullit, Dobjani

Mazhoranca pritet të ketë së shpejti një “kockë” të fortë për ta përtypur në Parlamentin e përgjysmuar nga mungesa e opozitës. Bëhet fjalë për rinovimin e disa anëtarëve të institucioneve Kushtetuese, për të cilat porta e garancisë mbetet Presidenti i Republikës, i cili vendos firmën e tij. Bëhet fjalë për rinovimin e katër anëtarëve të Gjykatës së Kushtetuese, dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit, mandati i dytë i të cilit përfundon në muajin shkurt të këtij viti. Gjyqtarët e Kushtetueses dhe të Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti me pëlqimin e Kuvendit. Procesi i dhënies së pëlqimit bëhet me 71 vota, por gjithsesi duke u nisur nga rëndësia e këtyre institucioneve, nuk është e thjeshtë ngritja e kartonëve nga mazhoranca. Ndërkaq, sipas Kushtetutës së Republikës, zgjedhja e Avokatit të Popullit bëhet me votat e 3/5-at e deputetëve, kështu që është e domosdoshme dhënia e konsensusit nga opozita. Një tjetër institucion i rëndësishëm që duhet ripërtërirë është Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili duhet të zgjedhë katër anëtarët e rinj që u mbaron mandati, të cilët duhet të zgjidhen nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore. Por ky proces ka ngecur sepse nuk është miratuar ligji në Kuvend, i cili duke qenë ligj i konsideruar pjesë e reformës në drejtësi, nevojitet të votojnë pro 84 deputetë, pra opozita. Delikate paraqitet edhe zgjedhja e drejtorit të ri të Shërbimit Sekret Shqiptar pas miratimit të draftit të kaluar në qeveri, i cili vendos një mandat 5-vjeçar për drejtorin e SHISH.
Kushtetuesja
Pas pak muajsh do të duhet të përtërihet Gjykata Kushtetuese me katër anëtarë të rinj, mandati i të cilëve përfundon dhe do të duhet të zgjidhen gjyqtarët e rinj. Por për t’u bërë kjo do të duhet të kalohet në dy hallka, marrëdhëniet e të cilave nuk janë nga më të mirat. Kështu, sipas Kushtetutës, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Kështu, në mesin e muajit mars përfundon mandati i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Kujtim Puto, i cili u zgjodh në pranverën e vitit 1998 si gjyqtar i institucionit që interpreton ligjin themeltar të shtetit. Ndërsa në prill mbarojnë mandatet e Fehmi Abdiut dhe Sokol Sadushit. Të tre këta gjyqtarë janë zgjedhur me një mandat 12-vjeçar, pasi në fillim ligji shqiptar parashikonte një kohë të gjatë për pjesëtarin e Kushtetueses. Por me miratimin e Kushtetutës, mandati u shkurtua në 9 vjet. Gjithashtu po këtë viti i mbaron mandati edhe një anëtari aktual, i cili është Petrit Plloçi. Kuvendit i duhet të votojë katër herë me votim të fshehtë për të zgjedhur gjyqtarët e rinj të Kushtetueses. Presidenti i Republikës do të duhet të nisë një proces konsultimi për të përzgjedhur kandidaturat më të spikatura.
Gjykata e Lartë
Dy anëtarët e Gjykatës së Lartë, përkatësisht, Irma Bala dhe Evgjeni Sinoimeri, janë zgjedhur në vitin 2001 dhe sipas Kushtetutës, në këtë vit atyre u mbaron mandati, ndaj duhet të zgjidhen anëtarët e rinj. Gjyqtares Bala i mbaron mandati në datën 9 prill, ndërsa zonjës Sinoimeri i përfundon rreth një muaj më vonë, përkatësisht më 2 maj. Sipas Kushtetutës, anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga kreu i shtetit dhe më pas Parlamenti jep pëlqimin e tij.
Avokati i Popullit
Më 17 shkurt të këtij viti, zotit Ermir Dobjani i përfundon edhe mandati i dytë në institucionin e quajtur si “Ombutsman”-i, i cili ka për detyrë të mbrojë qytetarët përballë veprimit të shtetit. Avokati i Popullit sipas ligjit themeltar të shtetit, duhet të zgjidhet me votat e tre të pestave të deputetëve, pra është i domosdoshëm konsensusi i opozitës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›