Bashkia e Tiranës: Ja dëmi që na shkaktoi pushteti qendror
Përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës akuzojnë se ndërhyrjet e vazhdueshme të qeverisë qendrore kanë deformuar sistemin e financimit të qeverisjeve vendore. “Vetëm ndërhyrja në vjeshtën e vitit 2005 me përgjysmimin e taksës vendore të biznesit të vogël ka sjellë një të ardhur të munguar në dhjetor 2009 me 4.584 miliardë lekë”, thonë specialistët e bashkisë. Ata theksojnë se të ardhurat e munguara nuk u kompensuan asnjëherë me gjithë premtimet e herëpashershme të qeverisë. Specialistët saktësojnë se të ardhurat e munguara vetëm nga ky vendim kanë sjellë një mungesë të shprehur në shërbime dhe investime të barasvlershme në: 1762 ditë pastrimi, ose 1 milion e 550 mijë metër katrorë rrugë të asfaltuara, ose trajtimin e 3800 familjeve të pastreha të Tiranës, ose ngritjen e 6 qendrave të tjera sociale dhe trajtimin për 7 vjet të të gjitha kategorive në nevojë, ose 35 shkolla të reja apo 60 shkolla të rikonstruktuara, ose 81 kopshte dhe çerdhe të reja, ose 257 mijë pemë të reja.
#