Hapet laboratori për analizat e A/H1N1, përgjigjet, brenda ditës
Rastet e dyshuara për virusin pandemik A/H1N1 do të analizohen në vendin tonë në laboratorin e ri të instaluar në Institutin e Shëndetit Publik. Ekzaminimi i analizave do të bëhet në Tiranë dhe përgjigjet do të kthehen brenda 24 orëve. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, dje, gjatë përurimit e konsideroi laboratorin e ri si një nga më të mirët e Evropës Juglindore.
“Jemi në një moment mjaft të veçantë, duke qenë se inaugurojmë një laborator të një standardi bashkëkohor, i cili mund të konsiderohet si një nga më të mirët e Evropës Juglindore”, - u shpreh z. Vasili
Ministri Vasili, duke u ndalur edhe në rëndësinë që paraqet ky laborator, për sa u përket ekzaminimeve që do t’u bëhen rasteve të dyshuara me A/H1N1, u shpreh i bindur se tashmë është e mundur që situata të ndiqet akoma më mirë, ndërsa bëri me dije se për momentin ajo paraqitet e qetë dhe nën kontroll, në një kohë që monitorimi është i vazhdueshëm për të parë dhe zhvillimet që mund të ketë virusi.
Laboratori ri është realizuar nëpërmjet një kredie të Bankës Botërore për qeverinë shqiptare. Kostoja e përgjithshme e laboratorit përfshin punimet civile, blerjen e teknologjisë diagnostikuese si dhe kualifikimin e stafit arrin në rreth 750 000 USD.
Në projekt kanë kontribuar edhe projekte të tjera, përfshirë Paktin e Stabilitetit. Ndihmesë kanë dhënë edhe OBSH si dhe Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve në Altanta, SHBA.
Ky laborator bën tashmë të mundur kryerjen e diagnozës molekulare për identifikimin e virusit të gripit pandemik A/H1N1. Gjithashtu, mund të diagnostikohen edhe viruset e gripit sezonal dhe gripit të shpendëve A/H5N1.
Teknologjia e re (Real Time PCR) mundëson për më tepër përshpejtimin e kryerjes së diagnozës në më pak se një ditë, duke ndihmuar sistemin shëndetësor në menaxhimin e situatës klinike dhe epidemiologjike të gripit të ri pandemik (gripi i derrit).
Laboratori i ri, në kushte normale, do të përpunojë 21 mostra në ditë, ndërsa në kushte emergjence, kapaciteti diagnostikues mund të arrijë nga 50 deri në 100 mostra klinike (raste) në 24 orë.
Në laboratorin e ri do të vijojnë të kryhen, në standarde më të larta, të gjitha analizat e kryera më parë për viruse të rëndësishme për shëndetin publik si Poliomieliti, Fruthi, Rubeola etj. Shumë shpejt do të bëhet e mundur edhe kryerja e analizave të tjera për sëmundje të tjera të rrezikshme virale. Me standardet e reja të krijuara në laborator dhe me përfundimin e të gjithë kërkesave të biosigurisë së nivelit të tretë do të bëhet e mundur që vendi ynë të ketë një laborator virologjik sipas të gjitha standardeve perëndimore.