Hapet në Grozni xhamia më e madhe e Evropës
Në kryeqytetin çeçen Grosny, para pak ditësh, është hapur xhamia më e madhe në Evropë. Ajo mban emrin e presidentit çeçen, të vrarë në vitin 2004, në një atentat terrorist dhe babait të presidentit aktual, Ramsan Kadyrov. Ester Hartbrich informon
Natën, e ndriçuar nga prozhektorë halogenë ajo duket impresionuese, xhamia e re e Grosnit, me një kupolë të madhe dhe katër minare. Aty ka vend për 10.000 besimtarë dhe me këtë hapësirë, xhamia e Grosnit, është xhamia më e madhe në Evropë. Valid Kurajevi, imami i parë i xhamisë, është i entuziazmuar.
"Një xhami kaq të madhe nuk ka pasur më parë. Të gjithë myslimanëve u është bërë një dhuratë e mrekullueshme. Ky është një sinjal shumë-shumë i rëndësishëm."
Presidenti çeçen, Ramsan Kadyrovi, 31 vjeç, mysliman besimtar, ishte ai që inicioi projektin e xhamisë superlative dhe dhuroi para nga fondi i Kadirovit. Deri më tani nuk dihet se sa ka kushtuar xhamia. Ecurinë e punimeve, madje, e ka ndjekur personalisht vetë presidenti. Presidenti çeçen, Kadyrov, thotë:
"Kam qenë ditën dhe natën këtu. Ky është thjesht një vend i mrekullueshëm."
Xhamia në qendër të kryeqytetit Grosni, ka marrë emrin e babait të vrarë të Ramsan Kadyrovit, Ahmedit. Ai u vra në vitin 2004 në një atentat. Vetë qendra shpritërore e myslimanëve u ngrit në një kohë prej dy vjetësh. Në truallin, i shtrirë sa për 20 sheshe futbolli, është vendosur edhe administrata e xhamisë, biblioteka, është hapur një hotel, madje edhe një konvikt studentësh. Kjo xhami është e para, që është ngritur në Kaukazin verior, pas asaj të vitit 1930. Inxhinerë me përvojë ndërtimi, u thirrën nga Turqia. Vasha Çashçanov, drejtor i qendrës për edukimin fetar-shpirtëror, u tregon vizitorëve me shumë entuziazëm ambientet e brendshme:
"Kupola e xhamisë është e zezë. Si guri në Mekën e shenjtë. Ky është një simbol për mësimin e shenjtë. Dhe atje tej, ndodhet kupola e gjelbër e llampës, që të kujton qytetin Medina, ku është varrosur profeti Muhamed."
Xhaminëe re të Grosnit e ka vizitur edhe kryeministri rus, Vladimir Putin. Para pak ditësh, ai vizitoi Çeçeninë për t'u informuar për pasojat e tërmetit në vend. Putini u shpreh se, jo vetëm çeçenët, por të gjithë myslimanët e Rusisë, mund të jenë krenarë për këtë xhami të re.
Dhe më tej:
"Nuk është rastësi dhe mendoj se është e drejtë që, hapja e moshesë, të fillojë me një konferencë ndërkombëtare. Nën titullin "Islami - feja e paqes": Ky është një mesazh pozitiv që dërgohet prej saj, që islami është një fe që kërkon paqen dhe marrëdhënie të mira me besimet e tjera. Për ne rusët kjo është mjaft e rëndësishme."
Në Rusi jetojnë rreth 20 milion myslimanë, kjo do të thotë rreth 15% e popullsisë. Veçanërisht, në Kaukazin verior, ka gjithnjë konflikte me radikalët islamikë, të cilët duan të instalojnë shtetin fetar.