Mishel Platini, mik në Asamblenë e Futbollit
Për herë të parë, një titullar i organizmit më të lartë të futbollit europian do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së, që do të mbahet më 12 nëntor. Bëhet fjalë për presidentin e UEFA-s, Mishel Platini, i cili më 11 nëntor do të vizitojë Tiranën, dhe një ditë më pas do të jetë mik i Asamblesë së FSHF-së. Komiteti ekzekutiv i kësaj të fundit, në mbledhjen e djeshme, pasi miratoi datën e zhvillimit të Asamblesë, foli gjatë për organizimin që do t'i bëhet vizitës së njeriut të njohur të futbollit, tashmë me petkun e zyrtarit më të lartë. Sipas burimeve pranë anëtarëve të KE-së, bëhet e ditur se të martën e 11 nëntorit, axhenda e Platinisë fillimisht konsiston me përurimin e fushës së Krujës, që është ndërtuar falë bashkëpunimit të FSHF-së me UEFA-n, në kuadër të projektit "Hat Trick 2". Ndërkohë mësohet se kreu i UEFA-s do të takohet me një nga krerët e shtetit shqiptar, Presidentin e Republikës, Bamir Topi, apo Kryeministrin Sali Berisha. Kjo ngelet për t'u përcaktuar në ditët e ardhshme. Gjatë vizitës, Platini do të jetë i shoqëruar nga drejtuesit e FSHF-së, si dhe anëtarët e komitetit ekzekutiv. Platini do të diskutojë me drejtuesit e federatës për problemet që ka futbolli shqiptar, ku natyrisht pritet të parashtrojë mundësinë e UEFA-s, për një ndihmë më të madhe në të ardhmen. Pas takimeve në ditën e parë, paraditen e 12 nëntorit Platini do të mbajë një fjalim para Asamblesë, e më pas do të largohet nga Tirana. Kjo vizitë duket shumë domethënëse, pas problemeve që ka kaluar Shqipëria, ku kujtojmë këtu pezullimin nga aktivitetet ndërkombëtare. Përgjigjja pozitive ndaj ftesës së bërë nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk është rastësi, pasi kreu i UEFA-s, Mishel Platini edhe më parë ka kërkuar të vijë në Shqipëri gjatë konfliktit shtet-federatë, që çoi në pezullimin pa afat të futbollit tonë, e më pas heqjen e kësaj mase.
Kuqezinjtë, nga 3 mijë euro për pikën me "luzitanët"
Komiteti ekzekutiv nuk kishte si të mos e diskutonte edhe paraqitjen e kombëtares në dy ndeshjet e fundit, me Hungarinë dhe Portugalinë. Si gjithnjë, FSHF-ja, me në krye presidentin Armand Duka, është treguar bujare dhe dje ka miratuar një shumë prej 50 mijë eurosh, për barazimin historik që kuqezinjtë morën ndaj Portugalisë. Mësohet se nga këto, 3 mijë euro do të marrin për kokë lojtarët titullarë, ndërsa më pak ata të stolit. Anëtarët e komitetit ekzekutiv kishin rënë dakord për ta shpërblyer kombëtaren me këtë shumë që pas ndeshjes me Portugalinë. Madje, kjo u diskutua gjatë festës së kuqezinjve. Fillimisht kanë qenë për t'u dhënë 2 mijë euro për lojtar, por kësaj shume iu shtuan edhe një mijë të tjera. Nga ky shpërblim, trajneri i kombëtares, Ari Han, në bazë edhe të kontratës që ka nënshkruar, përfiton 5 mijë euro. Kjo është përcaktuar në pikat e kontratës, si një bonus për holandezin, në lidhje me pikët që do të marrë ai në drejtimin e Shqipërisë.