E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Sebrenicës, dënohet një ish-polic serb

Sarajevë - Një serb u dënua për krimet në Bosnje. Ish-polici serb do të vuajë gjashtë vjet burg se ka kryer krim kundër njerëzimit në masakrën e Srebrenicës të vitit 1995. Vaso Todoroviç u shpall fajtor nga Gjykata boshnjake e Krimeve të Luftës për veprën penale të bashkëpunimit dhe nxitjes së ekzekutimit të meshkujve myslimanëve boshnjakë dhe spastrimit etnik të civilëve boshnjakë nga zona e mbrojtur prej OKB-së në Srebrenicë.

Kryetari i gjykatës, Senadin Bektasheviç u shpreh se “ish-polici Todoroviç u akuzua më parë për gjenocid, por padia fillestare u rrëzua përmes kërkesës për një marrëveshje”. Ndërsa sqaroi se "fakti që Todoroviç shprehu keqardhje të thellë dhe pendesë për veprimet e tij si dhe gatshmërinë për të dëshmuar në çështje të tilla u panë si një faktor lehtësues gjatë verdiktit përfundimtar".

Në masakrën e Srebrenicës janë vranë rreth 8 000 myslimanë vetëm gjatë muajve të fundit të luftës së Bosnjes në vitet 1992-95. I ndaluar për këtë krim çnjerëzor është edhe udhëheqësi i Luftës në Bosnjë Radovan Karaxhiqi. Lideri i dikurshëm politik i serbëve të Bosnjes Karaxhiq, gjendet tani në Hagë, ku është duke u gjykuar për krimet e bëra 15 vjet më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›