E Shtunë, 31 Tetor 2026

I shpëtuari nga socrealizmi

Kuratorja: “Ai nuk është një piktor tipik i realizmit socialist.” 60 punime në vaj, laps e akuarel të Kerajt ekspozohen nesër në GKA. Shumica të panjohura

Të fundit që pikturoi ishin ca pemë fletëgjera e hijerënda. I pëlqente peizazhi, të pikturonte ashtu si shihte, pa përthyerje. Me ngjyra të kthjellëta. Ndoshta ishte një mënyrë për të qenë i patrazuar jashtë kufizimeve të kohës. Jakup Keraj ishte një nga ata piktorë që e donte shumë natyrën, edhe njeriun. Gjithçka shihte e hidhte në letër, me laps të shpejtë, apo shtruar me penel e bojëra vaji. La qindra të tilla. Një pjesë e këtij koleksioni punësh prezantohet nesër në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Kuratorja e kësaj retrospektive, Suzana Varvarica Kuka, thotë se bëhet fjalë për një galeri me afro 60 punime në vaj, laps e akuarel, të realizuara në periudha të ndryshme të krijimtarisë së piktorit.

Shumica, ekspozohen për herë të parë për publikun dhe një pjesë e vogël i përket veprave që ruhen në fondin e galerisë. Mes tyre edhe piktura e fundit e realizuar pak muaj para se të ndahej nga jeta, në dhjetor të vitit 1987.

Ekspozita hapet në sallën e vogël të Galerisë së Arteve për të krijuar një ambient më intim, duke iu përshtatur edhe atmosferës që krijojnë punët e përzgjedhura, që sipas kuratores përbëjnë edhe pjesën më të mirë të veprës së piktorit. Gjatë karrierës së tij artistike, piktori shkodran Jakup Keraj numëron rreth 400-500 punë. Shumë janë pjesë e koleksionit familjar, tashmë të zhvendosur nga Shkodra në Tiranë, të tjera janë shpërndarë nëpër shtëpitë e të bijve të piktorit, pa llogaritur punët e shitura. Ndërsa GKA numëron 33 punë të tij. “Ai është një realist shumë i mirë. E pasqyron objektin ashtu si është, në mënyrë akademike. Ulet dhe pikturon”, - thotë Kuka. Ajo ndalet tek ngjyrat. Janë të pasura dhe të vërteta. Keraj nuk eksperimentonte. E pikturonte Shkodrën të vërtetë, me rrugët karakteristike, me njerëzit duke baritur mbi biçikleta, nën qiellin e mbuluar me re të pambukta. Deri në momentin që vdiq, në një moshë ende të re, 53-vjeçare, krijoi në Shkodër. Ishte një natyrë disi e tërhequr dhe peizazhi e portreti i përshtateshin më së miri. Ishte edhe një formë meditimi. Sipas Kukës kjo e “shpëtoi” atë edhe nga kornizat e realizmit socialist. “Ai nuk është një piktor tipik i realizmit socialist. Ka fare pak punë të tilla”, - thotë kuratorja.

Disa vite më parë, në GKA u hap një ekspozitë retrospektivë me portretet e realizuara nga Keraj, ndërsa mendohet që të hapet edhe një tjetër vetëm me vizatimet e tij të cilat janë të shumta dhe ruhen gjithashtu në koleksionin familjar.

Jakup Keraj u lind në Shkodër më 15 shtator 1933. Prirjet drejt pikturës u shfaqën që në vogëli. Pas mësimeve që mori me piktorin Simon Rrota, ndoqi Liceun Artistik “Jordan Misja”, nën drejtimin e Nexhmedin Zajmit. Në vitin 1951 nis studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në San Petërburg (Leningrad) në Bashkimin Sovjetik, bashkë me emrat më të njohur të pikturës shqiptare si Vilson Kilica, Guri Madhi, Shaban Hadëri, Kristaq Rama, etj. Në fondin e familjes ruhen punë edhe nga kjo periudhë. Pas studimeve u kthye në vendlindje, ku punoi si mësues i Vizatimit Teknik në gjimnazin "29 Nëntori" në Shkodër, ku kishte edhe një studio dhe realizoi disa nga punët më të mira. Për 7 vjet dha mësim në Liceun “Prenk Jakova”.

Ndër punët e tij më të njohura janë “Heronjtë e Mashkullorës”, “Kuvendi i Lezhës”, dhe një sërë tablosh kushtuar qytetit të lindjes, “Shkodra”, “Kalaja e Rozafatit”, “Buna”, etj. Në vitin 1964 hapi ekspozitën e parë vetjake në Shkodër. Kjo u ndoq me një të dytë në vitin 1984 dhe një tjetër në kryeqytet një vit më vonë. Në vitin 1970 u nderua me Urdhrin “Naim Frashëri i Klasit të Tretë” dhe një vit para vdekjes merr titullin “Artist i merituar”. Pjesëmarrës në Bienalen e Aleksandrisë, është fitues i medaljes së bronxit në dhjetor 1987. Në vitin 2002 në GKA hapet ekspozita “Retrospektivë” me punë të koleksionit familjar. Po atë vit merr titullin “Mjeshtër i Madh”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›