Milani zyrtarizon Bekhamin: Vjen për 4 muaj
David Bekham, "Djalli" i ri i Milanit. Pas zërave dhe hipotezave, vjen edhe zyrtarizimi. Ai që e konfirmon është vetë Adriano Galiani, i cili nuk u ka lënë shumë hapësirë dyshimeve mbi serioztetin e lëvizjes. "Bekhami kërkon të vijë të stërvitet dhe të luajë me Milanin; do të vijë katër muaj në formë huazimi në fillim të janarit," - tha administratori i deleguar kuqezi.
Me sa duket, bëhet fjalë thjesht për çështje kohe. Pra, që të pritet rihapja e merkatos dhe të krijohen kushtet për ta pritur në mënyrën më të mirë lojtarin më mediatik në qarkullim. Përveçse çështje biznesi, është edhe çështje imazhi mjaft e qartë. Është normale që Bekhami do të sjellë me vete te Milani sponsorë, vëmendje ndërkombëtare dhe, në vijimësi parà. Një detaj, ky i fundit, që në klubin kuqezi nuk kalohet pa u vënë re. "Futbolli i sotëm, - saktëson me të drejtë Galiani, - nuk është vetëm teknikë dhe taktikë, por edhe stadiume plot audiencë e sponsorë. Asnjë nuk mund të ketë 65 mijë spektatorë në stadium, si i kishin ne të dielën. Stadiumet mbushen vetëm me yjet e botërorit, Bekhami kërkoi të vijë te Milani, dhe jo te ndonjë klub tjetër." "Spice boy" do të mirëpritet ta japë ndihmën e tij në fushë ose, thjesht do të ndihmojë në mbushjen e kasafortës kuqezi. Qëndron fakti se që tani e deri në janar Milani, "Beksi" dhe Los Anxhelesi, skuadra ku anësori anglez luan aktualisht, do të bisedojnë akoma. Do të ulen në një tryezë dhe do të vlerësojnë me kujdes çështjet reciproke të lëvizjes. Galiani kërkoi dhe e mori huazimin gratis për katër muaj; nga janari deri në fund të prillit, kur të rifillojë kampionati amerikan, dhe anësori anglez do të kthehet te Galaksi. Katër muaj të mirë për ndonjë shfaqje me fanellën kuqezi dhe për të shijuar spektaklin e një sulmi, gjithnjë për faqe të parë me Dinjon e Kakanë. "Me ata të tre, edhe për pak muaj, - shpjegon Galiani, - mund të jetë një Milan yjesh. E përsëris: po flasim me menaxherin e tij dhe do ta federojmë që të luajë. Skuadra jonë është shumë e fortë dhe do të mbesë kështu siç është, por Bekhami është diçka ndryshe dhe intrigues. Milani nuk bën mbledhjen e figurinave në revista; Milani është shumë krenar nga politika që po bën. Jemi klubi i vetëm në kundërprirje: njerëzit vijnë në stadium për të parë Milanin. Nëse publiku vjen në "San Siro", do të thotë që Milani është prodhim që u pëlqen..."
ANÇELOTI E SHEH NË UEFA - Nga Galiani tek Ançeloti, edhe pse, në fund të fundit, do të jetë ai që do të kujdeset për "Spice "Boy"-n. "Për mua do të jetë kënaqësi, - sqaron trajneri kuqezi. - Bekhami është sportist serioz, një profesionist i madh. Nëse do të jetë i gatshëm për katër muaj me ne, do të jemi të kënaqur. Nëse do të luajë me Milanin, një gjë e tillë do t'i shërbejë edhe për kombëtaren."
Shtypi anglez: Është çështje biznesi
Fotoja të bën njëfarë përshtypjeje. Nuk flasim për një megaposter të Vevid Bekhamit me mbathje për fushatën e reklamave të Xhiorxhio Armanit, që duket në rrugët e Milanos, por për foton e tij me fanellën e Milanit (pa dyshim që është fotomontazh), të nxjerrë "on line" nga "Daily Mirror", pak pasi Adriano Galiani konfirmoi nga Italia lajmin e huazimit gratis të mesfushorit të kombëtares angleze në janar, i gatshëm të luajë edhe në Kupën UEFA. Një lajm që ka lënë disi pas edhe Championsin, sepse, kur flitet për Bekhamin, në ishull gjithçka kalon në plan të dytë.
"ITALIAN JOB" - Ja pse "Sun" e ka hapur adresën e saj në internet me një "çështje italiane", që përkthehet ardhja e lojtarit të Los Anxhelesit në Itali. Ndërsa në faqet e brendshme hipotezohet se huazimi mund të shndërrohet në një kontratë përfundimtare, nëse anglezi do të luajë mirë me Milanin. Një pistë që, gjithsesi, asnjë gazetë tjetër angleze për momentin s'e ka ndjekur, duke zgjedhur të kufizohet te lajmi i huazimit të thjeshtë. Dhe kështu, nëse "Guardian", "The Indipendeted", "Evening Standard", titullojnë mbi ofertën e bërë nga Milani për të blerë Bekhamin, "Daily Express" dhe "Daily Star" përdorin praktikisht të njëjtat fjalë: "Beks firmos për Milanin".
"HELLO ITALY!" - Një lëvizje që më skeptikët e shohin vetëm si çështje biznesi të modelit Ronaldinjo. Eshtë pikërisht detaji komercial që e nxit "Daily Telegraph"-in ta marrë menjëherë në mbrojtje 34-vjeçarin, duke nënvizuar fjalët e Galianit mbi argumentin ("Milani nuk mbledh figurina"), ndërsa adresa e "Times"-it, zgjedh ironinë me fjalën provokuese "Mirupafshim Amerikë! Përshëndetje Itali", duke treguar destinacionin e ardhshëm të Bekhamit. Një Bekham që do ta mbyllë aventurën e tij sezonale me Galaksi të dielën.