E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapet në Prishtinë ekspozita “Një Komb, një kulturë”

PRISHTINË-Çelet në Prishtinë, në Muzeun e Kosovës, ekspozita e përbashkët Kosovë-Shqipëri, ku do të prezantohen artefakte arkeologjike të periudha të ndryshme, nën emrin "Një Komb, Një Kulturë". 

Ministri Kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, priti sot pasdite në një takim homologun shqiptar Visar Zhiti, i cili ndodhet në Prishtinë me rastin e hapjes së ekspozitës. Gjatë takimit, ministri Krasniqi u shpreh se "Kosova dhe Shqipëria janë një model shembull i bashkëpunimit në shumë fusha, e veçanërisht në kulturë dhe trashëgimi, aspekte këto që rrëfejnë një histori për kombin shqiptar".
"Gjithmonë objektiv i bashkëpunimit tonë ka qenë forcimi i lidhjes mes dy vendeve tona, promovimit, ruajtjes të kulturës dhe traditës sonë. Ka shumë aspekte, ku ne kemi krijuar traditë të aktiviteteve të përbashkëta, qoftë në teatër, film, libër, muzikë dhe trashëgimi. Në këtë rrafsh është edhe hapja e ekspozitës së kulturës materiale në Muzeun e Kosovës, nën emrin ‘Një Komb, Një Kulturë’, për herë të parë në Kosovë, e që përben një prej punëve më të mira të përbashkëta që kemi bërë. Unë besoj se kjo është veç një nisje e projekteve tona të mëdha për të ardhmen", tha Krasniqi. Ai vlerësoi personalitetin e Zhitit dhe kontributin e tij që ka dhënë për kulturën dhe trashëgiminë shqiptare nëpër vite, në karrierën e tij si shkrimtar. 

Ministri Krasniqi shprehu përkushtimin që bashkëpunimi mes dy vendeve të shkojë gjithnjë në rritje, duke theksuar këtu potencialin e madh që është tek të rinjtë, qoftë për arte dhe kulturë. "Ajo ç'ka ne synojmë dhe padyshim ka qenë dhe mbetet një qëllim i të dy vendeve tona, si një komb, që të kemi hapa shumë më konkret bashkëpunimi, një axhendë me të qartë të veprimeve tona dhe gjithnjë duke pasur një koordinim", tha Krasniqi në konferencën për shtyp pas takimit. 

Nga ana e tij, ministri shqiptar Zhiti tha se "ne nuk jemi për të përgjysmuar kulturën, por duke qenë një kulturë me dy ministra, me dy ministri, me dy qeveri, do të dyfishojmë energjitë tona për të arritur tek ëndrra, për të arritur tek dëshira, për të arritur tek e ardhmja, projektet e përbashkëta. Realizimet e përbashkëta janë vërtetë ngazëllyese, por kanë dhënë frytet e tyre. Jo vetëm një abetare të përbashkët, por do të kemi edhe qendrat e kulturës nëpër botë të përbashkëta, ashtu si shtëpitë e përbashkëta tona që kanë një histori tonë të përbashkët, me investime të përbashkëta po restaurohet për t’ju kthyer historisë, për t’ju kthyer ndërgjegjes tonë kombëtare". Zhiti shtoi se duke ruajtur kulturën dhe traditën, të dy vendet, por mbi të gjitha kombi shqiptar, do të ketë një ardhme më të ndritur. 

Ekspozita e trashëgimisë së kulturës materiale “Një Komb, Një Kulturë” është përgatitur në bashkëpunim me Institutin për Monumente të Kulturës së Shqipërisë dhe Muzeut të Kosovës. Ajo mbahet nën patronazhin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Krasniqit, dhe homologut të tij nga Shqipëria, Zhiti. 

(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›