E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet në Strugë Festiali i Poezisë

Festivali Mdërkombëtar i Poezisë në Strugë, edicioni i 47-të u hap dje me pjesëmarrjen e 70 poetëve nga 45 vende të botës. Po dje mbërriti në Strugë, fituesi i Kurorës së Artë, poeti shqiptar Fatos Arapi. Ai pohoi se poetët nga Ballkani me vargjet e tyre ndërtojnë një mozaik të veçantë që s’mund të shkulet.

“Në këtë mënyrë ata po e bëjnë më të fuqishme poezinë. Sa më shumë e njohim njëri-tjetrin, aq më shumë kuptohemi dhe duhemi. Unë erdha në Strugë si poet, jo si shqiptar, sepse poezia, po aq sa gjuha dhe kultura, nuk kanë dallim, - tha Arapi, i cili do të paraqitet me Kurorën e Artë ditën e diel gjatë manifestimit “Urat” i cili shënon mbylljen tradicionale të festivalit.

Një pemë është mbjellë dje për nder të Arapit në vendin e quajtur Parku i Poezisë, ndërkohë që një portret letrar i tij do të bëhet në kishën e Shën Sofies në Ohër, nesër, më 23 gusht, me një predikim të akademikut Gane Todorovski.

Pas ceremonisë së hapjes, po dje është zhvilluar aktiviteti tradicional “Një mbrëmje pa shenja pikësimi” ku ka marrë pjesë poetja e re kroate Antonija Novakovic, fituese e çmimit të UNESCO-s “Ura mbi Strugë”, si poetja e re më e mirë.

Të tjera aktivitete do të organizohen në këtë edicion të Festivalit të Poezisë, si për shembull simpoziumi “Gjuha, poezia, identiteti”, përkujtimi në 100- vjetorin e lindjes i poetit Koco Racin, takimi ndërkombëtar “Urat” ku do të jepet Kurora e Artë dhe çmimet e tjera të këtij festivali.

Mbrëmja tradicionale e poezisë kombëtare, këtë vit i është kushtuar Ukrainës.

Pas mbylljes së festivalit, më 25 gusht, të ftuarit do të kenë mundësi të marrin pjesë në “Poezia në rrugë” dhe do të vizitojnë disa qytete të tjera në Maqedoni.

Thënia e ditës

“Poshtë, pushteti i errësirave. Lart, errësirat e pushtetit.”

Proverb rus

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›