E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një kryevepër nga Nëna e madhe shqiptare, Terezë

SHËNIM I REDAKTORIT: Shumë sëmundje të rënda vijojnë ta tmerrojnë njerëzimin edhe sot, kur shkenca sulmon drejt kulmesh, pa respektuar asnjë kufi. Por ndërmjet tyre, njëra është më rënda - na kujton e Lumja e parë shqiptare, që jetoi gjithnjë mes sëmundjesh, pranë të sëmurëve, Nënë Tereza. Nuk bëhet fjalë për sëmundjet tradicionale, si gërbula e tuberkulozi, që vijojnë ta brejnë njerëzimin, por për sëmundjet e reja të shekullit në të cilin jetojmë. Më poshtë, të dërguar nga lexues Alban Guri, kemi një pasazh të shkruar nga vetë Nëna e madhe shqiptare…

“Sëmundja më e rëndë e ditëve tona nuk është gërbula, as tuberkulozi. Njeriu e ndjen veten të sëmurë, sepse i braktisur nga të gjithë, pa dashuri, pa mbrojtje.

Sëmundja më e rëndë është mungesa e dashurisë dhe e mëshirës, indiferenca e tmerrshme e të gjithëve për të gjithë e, në radhë të parë, për ata që janë viktima të shfrytëzimit, të korrupsionit, të mashtrimit, të varfërisë e të sëmundjes.

Nuk është vështirë të flasësh për varfërinë, kur e ke larg, e edhe ta harrosh menjëherë.

Sëmundja më e rëndë e kohës nuk është gërbula, tuberkulozi, as kanceri, por ndjenja e padurueshme e vetmisë, që e bën njeriun ta ndjejë veten të padëshirueshëm, e bën të harrojë ç’është gëzimi njerëzor, ç’është ndjenja njerëzore, ç’ do të thotë të duhesh e të duash.

Mendoj se situata të tilla i gjejmë edhe në familje, ku nuk mungojnë të mirat materiale.

Kudo ndjehet fort uria e etja për dashuri, pikërisht sepse mungon dashuria.

E kjo e bën botën tepër të varfër.

Në vendet e botës perëndimore sot besohet se nuk ka uri të mirëfilltë.

Besohet edhe se nuk ekziston kjo vetmi e tmerrshme, nga e cila vuajnë shumë njerëz.

Në perëndim a në lindje qoftë, uria nuk duhet kuptuar thjeshtë si mungesë e bukës së përditshme.

Bota sot ka uri e uri të tmerrshme. Ka uri për Zotin e për dashurinë. Lakuriqësi nuk quhet vetëm mungesa e rrobave, por edhe mungesa e dinjitetit njerëzor, nga i cili i kemi zhveshur fare njerëzit e varfër, duke i trajtuar si të ishin qenie të kota, si hajdutë, si rrugaçë, që s’vlejnë dy para.

Ne nuk kemi nevojë për publicitet.

Zoti nuk bën publicitet kur e kryen veprën hyjnore.

Zoti ndjek rrugën e vet për ta bërë të njohur veprën e tij.

Shembulli nuk mungon: mjafton të kujtojmë si u pritën motrat tona në mbarë botën, ndonëse bota në fillim nuk i njihte fare.

U pritën mrekullisht mirë, deri në ato vende ku shumë njerëz të tjerë nuk e kanë të lehtë të punojnë e të jetojnë. Këtu unë shoh dorën e Zotit, i cili na dëshmon se kjo është vepra e Atij, që dëshiron ta shërojë njerëzimin nga sëmundjet e vjetra e të reja. Mjafton që njeriu të dojë….”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›