Kthehen ekspeditat. Misioni Kamza
Ka vite që instituti nuk ka parë ekspedita me sy. Sapo dëgjon fjalën “ekspeditë”, drejtoresha Dibra thotë se projektet për disa të tilla, individuale dhe kolektive janë në rrugë të mbarë dhe shënojnë kthimin e kërkuesve shkencorë në terren.
Projekt në diskutim nga ana e Qendrës së Studimeve Albanologjike është ekspedita kolektive që ka për objekt studimi etnokulturën në rrethinat e Tiranës. Ka për të qenë hera e parë që antropologët do të marrin në analizë qendra e reja të banimit të krijuara në Tiranë nga lëvizjet e mëdha demografike pas viteve nëntëdhjetë. Në shtator nisen për dy javë kërkime drejt këtyre bashkësive. Është kërkuar bashkëpunimi nga Bashkia e Kamzës qendra që ka në administrim fshatra që janë krijuar rishtas nga të ardhurit sidomos prej veriut të vendit. “Kanë kaluar disa vjet dhe njerëzit që janë vendosur në një ambient të ri kanë dhënë dhe kanë marrë mes tyre. Mendoj se ka lëndë për të vjelë, për të parë se si janë integruar kulturat në këtë zonë”. Tirana po bëhet njëmilionëshe. Njerëzit e rinj të saj duhen njohur edhe në ato aspekte që thotë Miaser Dibra.
Aty është një e treta e Shqipërisë dhe nëse është bërë ndonjë mëkat ndaj atyre njerëzve që i përflasin si të jashtëligjshëm në tokat e Tiranës, është refuzimi për t’i njohur.