E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojërat e para, Athinë 1896, Lojërat e tmerrshme Mynih 72

SHËNIM I REDAKTORIT: Artikulli i mëposhtëm është një vështrim historik mbi Lojërat Olimpike dhe na është dërguar nga lexues Sokol Haxhillari, me referencë nga sajti online i radios BBC

Lojërat e para Olimpike në 1896 u mbajtën në kryeqytetin grek, pas një rivaliteti mes Athinës dhe Budapestit. Madje, ky i fundit shihej si vendi më i përshtatshëm, për shkak të vështirësive financiare me të cilat përballej në atë kohë Greqia. Madje fillimisht ishte menduar që Parisi të mbante Lojërat e para, dhe ato të nisnin në vitin 1900 dhe jo më 1896. Por princi i atëhershëm i Greqisë, Constantine, megjithëse në krye të një vendi të rreckosur e varfanjak, ngriti një komitet organizator për Lojërat duke tërhequr donacione të shumta.

Dhe Lojërat e para u mbajtën atje. Rreth 200 atletë që përfaqësonin 14 shtete morën pjesë në 43 gara.

Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve ishin grekë, ndërsa mes disiplinave ishin edhe tenisi, skerma, peshëngritja, çiklizmi, qitja, noti, dhe gjimnastika. Turnetë e kriketit dhe futbollit u anuluan për shkak të pjesëmarrjes së ulët të ekipeve dhe motit të keq.

Fituesit e këtyre Lojërave u nderuan me medalje argjendi, një fletëlavdërimi dhe me një kurorë me degë ulliri. I pari që mori medalje në këtë Olimpiadë ishte amerikani James Brendan Connolly, në garën e kërcimit trehapësh, të cilën e përfundoi me rezultatin 13.71 metra. Si frymëzues i Lojërave të Para Olimpike njihet Baron de Coubertin. Për shkak të entuziazmit të grekëve Lojërat u cilësuan si të suksesshme.

Lojërat më të tmerrshme olimpike mbahen ato të Mynih 1972. Një sulm terrorist mbi ekipin izraelit tronditi lëvizjen Olimpike dhe la të vdekur 11 atletë, pesë terroristë dhe një polic. Lojërat u ndërprenë një ditë pas atentatit, kur u zhvilluan ceremonitë mortore të rastit, por rifilluan pasdite me mbështetjen e zyrtarëve izraelitë. Ekipi izraelit u kthye në atdhe siç bënë edhe disa atletë të tjerë, por atmosfera ishte e tillë që nxiti ekipet t'i vazhdonin Lojërat.

Politika afrikane luajti një rol kryesor në pezullimin e Rodezisë prej Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Rodezianët kishin dërguar në këto Lojëra një ekip prej 30 atletësh, por u përjashtua nga Lojërat për shkak të politikës shtetërore të aparteidit. Harku u kthye në këto Lojëra, kurse xhudo u vendos si një disiplinë më vete. Hendbolli për herë të parë u bë një prej 195 disiplinave të Olimpiadës.

Mark Spitz, i cili mori dy medalje ari si 18-vjeçar në Lojërat e Meksikës, ishte përsëri ylli në këtë Olimpiadë. Ai mori katër medalje individuale, që të gjitha për arritjen e një kohe rekord, duke u kthyer në një prej notarëve më të suksesshëm të të gjitha kohërave. Gjimnastja sovjetike Olga Korbut u bë yll brenda natës, duke fituar tri medalje ari dhe një argjendi.

116 VJET LOJËRA OLIMPIKE

Athinë 1896

Paris 1900

Seint Luis 1904

Londër 1908

Stokholm 1912

Antverp 1920

Paris 1924

Amsterdam 1928

Los Anxheles 1932

Berlin 1936

(ndërprerje për shkak të luftrave)

Londër 1948

Helsinki 1952

Melburn 1956

Romë 1960

Tokio 1964

Meksiko 1968

Mynih 1972

Montreal1976

Moskë 1980

Los Anxheles 1984

Seul 1988

Barcelonë 1992

Atlantë 1996

Sidney 2000

Athinë 2004

Pekin 2008

DICITURAT E FOTOS

Foto 1

Baron de Coubertin, i cili frymëzoi Lojërat e para moderne

Foto 2

Një nga pengmarrësit e ekipit izraelit në Mynih 1972, në ballkonin e dhomës së ekipit. Është një nga imazhet më dramatike të ngjarjeve të paharueshme të asaj olimpiade

Foto 3

Pengjet izraelite, atletët Kehat Shorr dhe Andre Spitzer, duke folur me autoritetet gjermane gjatë orëve të krizës së pengjeve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›