E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapet panairi i produkteve turke e viziton Berisha

TIRANE- Kryeministri Berisha vizitoi sot Panairin e 5-të të Produkteve Turke i cili organizohet nga Dhoma e Tregëtisë së Stambollit në Pallatin e Kongreseve.

Në këtë ekspozitë, në të cilën do të takohen bizneset turke dhe ato shqiptare e ku do të prezantohen produktet turke të eksportit, marrin pjesë rreth 60 kompani turke.

Kryeministri shprehu kënaqësinë se investimet turke në Shqipëri janë rritur mbi 5 herë dhe janë ndër më të rëndësishmet e vendit dhe që shtrihen në të gjitha fushat, telekomunikacion, banka, metalurgji dhe shumë të tjera.

“Marrëdhëniet ekonomike me Turqinë kanë njohur një zhvillim të madh gjatë dy viteve të fundit, ndërsa investimet turke në Shqipëri janë rritur mbi 5 herë", tha sot Kryeministri Sali Berisha, gjatë ceremonisë së hapjes së Panairit të 5-të të Produkteve Turke, organizuar nga Dhoma e Tregtisë së Stambollit, në ambientet e Pallatit të Kongreseve

Panairi i Biznesit Turk në Shqipëri organizohet për të pestën herë, duke filluar nga viti 2001 me qëllim zhvillimin e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare mes dy vendeve si dhe zgjerimin e bashkëpunimit social-kulturor.

Turqia renditet një ndër partnerët kryesorë tregtarë me Shqipërinë. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2010 vëllimi tregtar mes dy vendeve arriti 36,718 milionë lekë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›