E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e kriza sjellin Kantrimen për herë të dytë në Tiranë

TIRANE-  Zv.ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Azinë, Tomas Kantrimen do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare në Tiranë, ku pritet të takohet me krerët më të lartë të vendit. Kjo është vizita e dytë e Kantrimen pas asaj në shkurt, ku Kantrimen i bëri apel partive për të mosbojkotuar zgjedhjet si dhe kërkoi hetim të plotë të paanshëm dhe pa ndikime politike, të ngjarjeve të 21 janarit.

Vizita e tij konfirmohet nga zyra e shtypit pranë Ministrisë së Jashtme e cila informon se  Zv.ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Azinë do të pritet nesër në orën 17:00, në një takim nga zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto.

Axhenda e vizitës së Kantrimen në Tiranë pritet të përfshijë takime edhe me krerët më të lartë të vendit.
Vizita e tij ndodh në prag të zgjedhjeve vendore dhe vetëm 48 orë  larg vizitës që Komisioneri për Zgjerimin e BE-se Stefan Fyler, zhvilloi dje në Tiranë dhe përcolli mesazhin e qartë se nëse nuk zgjidhin krizen politike rrezikohet integrimi i vendit.

Kjo është vizita e dytë e Kantrimen brenda një kohe të shkurtër. Në vizitën e tij më 9 shkurt 2011, në Tiranë  Kantrimen i bëri thirrje partive politike të marrin pjesë në zgjedhjet lokalë të e 8 majit "që populli të ketë të drejtë të zgjedhë mes tyre dhe se bojkoti i zgjedhjeve është antikushtetues”. 

Në lidhje me demonstratën e 21 janarit, zyrtari i lartë amerikan përcolli mesazhin se institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme ka mbështetjen e SHBA-ve dhe se puna për hetimin e ngjarjeve në bulevard duhej të bëhej pa presione politike.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›