Hapet panairi i punës

Tetëmbëdhjetë biznese Kosovare në bashkëpunim me Universitetin Amerikan të Kosovës (AUK) dhe Odën Amerikane, të mërkurën kanë hapur panairin e punës, ku studentët e AUK-ut dhe universiteteve tjera të Kosovës, do të kenë mundësi të njihen me tregun e punës, që ofrojnë këto biznese.
Drejtori ekzekutiv i këtij panair, i cili është edhe drejtor i Odës Amerikane, Lekë Musa tha se qëllimi i panairit është ofrimi i mundësisë për studentët që të kontaktojnë me bizneset dhe të orientohen në drejtimet e caktuara, ku ata dëshirojnë të punësohen.
“Qëllimi i panairit është që t’ua mundësojmë studentëve në Kosovë të kontaktojnë direkt me bizneset dhe me industrinë, dhe të shohin se çfarë lloj vende pune ata ofrojnë, çfarë lloj profilesh duhen plotësuar, në mënyrë që t’i zënë këto vende të punës. Është një mundësi edhe e institucioneve arsimore, për te parë se çfarë lloj drejtimesh duhet fokusuar, çfarë lloj vende punësh kërkohen nga bizneset në Kosovë, në mënyrë që të drejtohen apo kanalizohen edhe plan-programet arsimore nga këto institucione arsimore”, tha Musa.
Musa tha se ky nuk do të jetë organizimi i tyre i fundit, por sipas tij në bashkëpunim edhe me universitetet tjera, do të përpiqen që të bëjnë organizime të tjera.
Ai njoftoi se ky panair vlen për të gjithë studentët të cilët kërkojnë punë.
Dekani i Universitetit Amerikan në Kosovë, Kris Kol i falënderoi bizneset për pjesëmarrjen e tyre në panair dhe për mundësinë që u ofrojnë studentëve që të informohen më afër me tregun e punës.
Shkalla e papunësisë në Kosovë është e madhe. Llogaritet që rreth 50 mijë të ri çdo vit përgatiten për tregun e punës, ndërsa vetëm një përqindje e vogël e tyre kanë mundësi të gjejnë punë. Njëra nga mundësitë për punësim nga të rinjtë shihet emigrimi. /kosovapress/