E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bisedimet me SerbinëTelekomunikacioni temë e veshtirë

PRISHTINE-Tema më e vështirë në dialogun e deritashëm mes Kosovës dhe Serbisë është telekomunikacioni. Palët nuk kanë mundur të afrojnë qëndrimet për një zgjidhje të pranueshme. Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka konfirmuar se të dyja delegacionet kanë kërkuar nga lehtësuesi Robert Cooper të propozojë zgjidhje evropiane për telekomunikacionin dhe energjinë.
Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë nuk kanë mundur të gjejnë zgjidhje të pranueshme për telekomunikacionin që ka të bëjë me operimin ilegal të operatorëve serbë në pjesën veriore të vendit tonë, shkruan e përditshmja “Express”.

As shefat e delegacioneve, as ekspertët nuk kanë arritur përparim në këtë çështje. Vështirësi ka edhe për temën e energjisë elektrike.

Kjo situatë i ka detyruar të dyja delegacionet që të kërkojnë ndihmë nga lehtësuesi i dialogut, britaniku Robert Cooper.

“Telekomunikacioni është tema më e vështirë”, ka thënë Edita Tahiri, shefe e Delegacionit të Kosovës.

“Ne si përfaqësues të Kosovës, por edhe pala serbe, jemi pajtuar që ndërmjetësi Cooper të japë ide shtesë lidhur me fushën e telekomunikacionit dhe energjisë, ide që lidhen me zgjidhjet evropiane për këto probleme, duke marrë parasysh që sado që kanë punuar shumë mirë grupet e ekspertëve, nuk ka pasur përparime deri te pika e marrëveshjes”, ka thënë zëvendëskryeministrja Tahiri.

Në takimin e radhës që parashihet të mbahet pas tri javësh, Cooper do të ofrojë idetë e veta.

“Në çështjet e energjisë ka një afrim më të madh, por në çështjet e telekomunikacionit situata qëndron më larg marrëveshjes. Prandaj, ne kërkuam nga Robert Cooper që edhe ai të dalë me propozime shtesë. Ndoshta këto zgjidhjet evropiane mund të bëjnë afrimin e marrëveshjes eventuale”, ka thënë Tahiri.

(d.b/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›