Hapet rruga e Dukagjinit, por situata mbetet alarmante
Pas tri ditësh bllokimi nga rrëshqitja e dherave dhe shkëmbinjve hapet rruga që lidh Komunën e Shalës në Dukagjin me pjesën tjetër të vendit. Por ndonëse për momentin rruga është e hapur, ajo rrezikon të bllokohet sërish për shkak të mungesës së argjinaturës mbrojtëse, çka i bën të pashmangshme rrëshqitjet e dherave nëse reshjet vazhdojnë. Drejtues të Ndërmarrjes së Rrugëve Rurale pohojnë se situata mund të përsëritet nëse do ketë reshje shirash të rrëmbyeshëm. Ndërkohë, situata e krijuar ka nxjerrë në pah një problem serioz me të cilën përballet Ndërmarrja e Rrugëve Rurale. Për hapjen e rrugës, punëtorët kanë punuar me mjete primitive: lopata dhe kazma, në mungesë të ekskavatorëve. Qarku i Shkodrës ka rreth 302 kilometra rrugë rurale që lidh fshatrat me rrugët nacionale dhe gjatë sezonit të dimrit 80 për qind e këtyre rrugëve qëndrojnë të izoluara nga dëbora dhe rrëshqitjet e dherave për shkak se institucioni përgjegjës për mirëmbajtjen e këtyre rrugëve nuk ka mjetet e nevojshme. Në këtë prag dimri banorët e zonave të thella malore rrezikojnë të mbesin totalisht të izoluar. Zonat më të kërcënuara janë akset Theth-Malësi e Madhe, Breg i Lumit-Shkodër dhe në zonën e Vermoshit në aksin Tamarë-Selcë. Situata e vështirë mbetet dhe në zonat e thella të Pukës, në komunat Iballë, Fierzë e Qelëz, ku rrugët rurale qëndrojnë të izoluara gjatë gjithë dimrit.
Ar.Ho.
Ar.Ho.