E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomani

Universiteti është kthyer në një nga trendet më të fundit, për çdo të ri shqiptar, ashtu sikurse këpucët me majë rrumbullake dhe pardesytë treçerekëshe në ngjyrë kafe. Edhe pse tingëllon sikur nuk ka lidhje logjike midis këtyre të fundit, në fakt ajo që i bashkon është të qenurit në modë. Dikur universiteti ishte një pajë e mirë për vajzat dhe një tregues intelektual për djemtë, ndërsa sot është një karton që u bashkëngjitet shumë kartonëve të tjerë të përftuar nga universitete të ndryshme private apo shtetërore qofshin këto. Sot nuk diskutohet më, nëse ke apo jo diplomën e shkollës së lartë, por sa të tilla ke arritur të grumbullosh brenda një kohe të shkurtër, paçka se degët nuk mund të kenë shumë lidhje me njëra-tjetrën.
"Përveç Stomatologjisë në privat, vazhdoj paralelisht edhe Juridikun në shtet…se sa më shumë shkolla aq më mirë është", më thoshte para disa ditësh një miku im, student. E ndërsa unë përpiqesha ta kuptoja arsyetimin e tij sa më shumë thellohesha aq më pak sens gjeja në të. Studenti në fjalë nuk është i vetmi. Shumica e të rinjve, sot, kanë tendencën që të mos udhëhiqen më nga pasioni dhe dëshira për një zanat të vetëm, por nga mania për të siguruar sa më shumë dëshmi që vërtetojnë zotërimin e profesioneve të ndryshme e që sipas tyre do të rrisin më shumë shanset e punësimit në tregun e punës. Diplomania po evidentohet gjithnjë e më shumë si një dukuri e shoqërisë sonë, e cila vazhdon të jetë e etur ndaj gjërave të mohuara jo vetëm gjatë diktaturës, por dhe pas demokracisë, kur ende kuotat mbeten të kufizuara për shkak të mungesës së infrastrukturës së përshtatshme në përballimin e fluksit të studentëve për degët preferenciale.
Por me lindjen e universiteteve të para private u duk se, të gjitha vështirësitë dhe pengesat që të rinjtë ndeshnin, u zhdukën duke vendosur pranime të lira pa kritere dhe pa konkurset e shumëpërfolura deri atëherë në universitetet publike! Liberalizimi i universiteteve, përmes sektorit privat, i dha një frymëmarrje të plotë arsimit të lartë i cili kishte kohë që nuk po mund të përballonte kërkesat e shumta të të rinjve me mundësitë e kufizuara që kishte. Sigurisht që kjo mbetet një meritë për institucionet private arsimore. Por nga ana tjetër mungesa e plotë e kritereve të pranimit, krijoi një dyndje të madhe të maturantëve që kërkonin tashmë me çdo kusht të vazhdonin një shkollë të lartë. Kërkesat në rritje sollën pashmangshmërisht shtimin e numrit të institucioneve private arsimore duke krijuar atë amulli që paraqitet edhe sot kësaj dite: shumë universitete private të cilat përfliten për cilësinë e arsimimit që ato ofrojnë në mjediset e tyre dhe nga ana tjetër shteti që i akrediton dhe më pas rezervohet të njohë diplomat e këtyre studentëve si të vlefshme në momentin kur këta të fundit duan të konkurrojnë në sektorin publik. Ndërkaq, mungesa e informacionit shton edhe më shumë konfuzionin te të rinjtë, të cilët nuk dinë se ku duhet të investojnë katër vitet e ardhshme të jetës së tyre. Ata rendin pas diplomave të fakulteteve pa marrë parasysh shkollat profesionale dhe mundësitë më të mëdha të punësimit që mund të gjejnë me to. Situata merr ngjyrime edhe më të ndërlikuara kur "zyrtarët e lartë" nuk marrin përsipër realizimin e reformave dhe vendimeve të nevojshme për të qartësuar paqartësinë e Sistemin të Bolonjës ala shqiptar. Përdor termin "ala shqiptar" sepse ky sistem, në Europë, u krijua pikërisht për të shmangur fenomenin e diplomanisë. Politikëbërësit e arsimit të lartë europian kuptuan se tregu i punës kishte mungesën e specialistit të mesëm dhe nga ana tjetër ishte i mbingarkuar me individë super të kualifikuar me mastera e specializime të njëpasnjëshme. Sistemi i Bolonjës do të bënte me elastik tregun e punës duke ofruar përmes tri cikleve të studimit mundësinë që çdo individ të arsimohet në përputhje me objektivat e tij përkatëse. Por te ne ky koncept ende nuk ka mbërritur. Ne kërkojmë kualifikim të plotë 5-vjeçar edhe pse në shumicën e rasteve rendimenti ynë akademik nuk na lejon të vazhdojmë më studimet përtej 3 viteve, organizojmë protesta dhe bëjmë thirrje për të drejtat tona për t‘u arsimuar. Por unë pyes mos vallë ka ardhur koha t‘i bëjmë një thirrje vetes në fillim, të kuptojmë se shkolla e lartë, masteri apo doktoratura nuk janë një trend i modës e as një plus në CV, por një obligim serioz akademik të cilin duhet që së pari të shohim nëse mund ta vetëpërmbushim dot apo jo?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›