E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet rruga

Udhëheqësit e sportit kosovar e kanë mirëpritur opinionin që dha Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) të enjten në Hagë, e cila konkuldoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk ka qenë shkelje e të drejtës ndërkombëtare.

Sipas tyre, opinioni që GJND-ja e dha në favor të Kosovës do të ndikojë që të marrë fund izolimi, të cilin sportistët kosovarë e përjetuan me dekada, duke u mohuar e drejta për pjesëmarrje nëpër evenimente të ndryshme sportive ndërkombëtare.

Andaj, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, thotë se komuniteti sportiv i shtetit më të ri në botë me të drejtë duhet t’i gëzohet opinionit që dha GJND-ja rreth ligjshmërisë së pavarësisë së vendit.

Sipas tij, opinioni i GJND-së do t’ua lehtësojë dukshëm federatave sportive kosovare rrugën drejt inkuadrimit në federatat përkatëse ndërkombëtare. Më pas, sipas Hasanit, edhe KOK-u do ta ketë shumë më lehtë të bëhet anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

“Federatat ndërkombëtare i refuzonin federatat kosovare me arsyetimin se Kosova akoma nuk ka njohje të mjaftueshme ndërkombëtare. Unë jam i bindur se pas këtij mendimi të GJND-së do të vjen një zinxhir njohjesh të reja për Kosovën. Dhe, sapo Kosova të njihet nga njëqind shtete, atëherë federatat ndërkombëtare do ta kenë më lehtë t’i pranojnë federatat kosovare”, deklaroi Hasani për Express të enjten.

Hasani tani beson fuqishëm se sportistët kosovarë kanë gjasa të mëdha të jenë pjesëmarrës në Olimpiadën e vitit 2012.

“Pasi federatat kosovare të pranohen nga federatat përkatëse ndërkombëtare, edhe KOK-u do ta ketë shumë më lehtë të inkuadrohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Me këtë nënkuptohet se ka gjasa të mëdha që sportistët kosovarë të jenë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike të vitit 2012”, theksoi ai.

Në anën tjetër, edhe sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu thotë se opinioni i GJND-së do t’ia hapë rrugët shtëpisë së futbollit kosovar për t’u bërë anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s.

“FFK e ka një problem ligjor, sepse statuti i UEFA-s na pengon të anëtarësohemi në këtë asociacion para se Kosova të pranohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB). Mirëpo, opinioni i GJND-së sigurisht se do të sjellë më shumë njohje për Kosovën, e cila më pas mund të njihet nga OKB-ja. Atëherë, FFK-ja s’do të ketë asnjë problem për t’u inkuadruar në FIFA e UEFA”, tha Salihu për Express. “Edhe vetë krerët e FIFA-s, në takim me palën tonë na patën thënë se opinioni i GJND-së do ta luajë një rol të rëndësishëm rreth inkuadrimit të FFK-së në këto asociacione”, pohoi ai.

Sipas Salihut, opinioni i GJND-së më së shumti do t’u shkojë përshtati disa federatave tjera kosovare, të cilat tani mund të ndërkombëtarizohen shumë më lehtë sesa FFK-ja, pasi në statutet e federatave përkatëse ndërkombëtare nuk kërkohet që Kosova të jetë anëtare e OKB-së, siç thuhet në statutin e UEFA-s, por vetëm që shteti të ketë njohje ndërkombëtare.

“Më pas, ndërkombëtarizimi i atyre federatave tjera kosovare do t’i ndihmonin edhe më tej FFK-së për t’u inkuadruar në FIFA e UEFA”, shtoi ai.

Opinioni i GJND-së është mirëpritur edhe në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), e cila deri më tani ka bërë përpjekje të mëdha për anëtarësim në FIBA.

Kjo e fundit, më 5 dhe 6 shtator do ta mbajë Kongresin e saj, ku mund të shqyrtohet kërkesa e udhëheqësve të FBK-së për pranim në këtë asociacion. Opinioni i GJND-së mund të jetë një argument shtesë i drejtuesve të FBK-së për ta bindur kongresin e FIBA-s që ta njohë Kosovën.

“Nëse deri më 5 dhe 6 shtator Kosova njihet prej më shumë se 100 shteteve, atëherë kemi gjasa. Unë shpresoj të ndodh kjo, sepse po thuhet se Qeveria amerikane po mundohet ta ndihmojë Kosovën që të fitojë njohje të reja”, ka thënë për Express, kryetari i FBK-së Erolld Belegu.

“Mirëpo, ne ende nuk kemi marrë konfirmim nga FIBA nëse do të jetë Kosova në rend dite të Kongresit të saj. Ndoshta, edhe FIBA e ka pritur fillimisht vendimin e GJND-së. Mirëpo, opinioni i GJND-së është i favorshëm për ne, por megjithatë nuk dua ta marr me eufori këtë çështje, sepse edhe pas shpalljes së pavarësisë u mor me eufori se Kosova brenda një viti do të njihet nga më shumë se 100 shtete, por kjo nuk ndodhi”, përfundoi Belegu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›