E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rivalë edhe për emër

Kampioni i Kosovës në futboll, Trepça e ka dërguar një shkresë në Komisionin për Licencimin e Klubeve të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), por edhe në Komitetin Ekzekutiv të saj, nëpërmjet së cilës drejtuesit e kësaj skuadre kërkojnë që rivalit të qytetit të tyre, Trepçës ’89 t’i ndërrohet emri.

Gjelbër e zinjtë kërkojnë që emri i skuadrës së tyre, tradita, vlerat dhe sukseset e saj të mbrohen nga FFK-ja, pasi, sipas tyre, të gjitha ato po cenohen nga rivali lokal, duke mbajtur emër thuajse të njëjtë, Trepça ‘89.

“Saktësisht nga viti 2002 KF Minatori 89 e ka ndërruar emrin dhe është shndërruar në
Trepça ’89, me të vetmin qëllim përfitimin e vlerave të KF Trepçës, sukseseve dhe traditës së saj. Federata e atëhershme e ka lejuar një licencim të tillë, ngase KF Trepça ndodhej ne Ligën e Parë, ndërsa Minatori 89 ndodhej në Superligë dhe nuk kishte ndonjë rivalitet të theksuar, dhe atëherë mendohej se KF Trepça do të shuhej dhe se traditën e saj pastaj ta vazhdonte Minatori 89”, thuhet në shkresën e kryesisë së Trepçës.

“Kërkojmë nga Komisioni për Licencim të Klubeve dhe nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së që ta ndalë këtë huti me dy emra të njëjtë që garojnë në Superligë, të dy klubeve të ndryshme me histori dhe traditë e rezultate të ndryshme. Jemi lodhur duke u përgjigjur pyetjeve se cilës Trepçë i takojmë. Ka ekzistuar dhe ekziston vetëm një Trepçë dhe klubi tjetër i Mitrovicës është Minatori 89”, thuhet në këtë shkresë të Trepçës, në të cilën theksohet se një gjë të tillë nuk do ta lejonte të ndodhë asnjë federatë tjetër në botë.

Në anën tjetër, nënkryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka, thotë se klubi i tij nuk do ta ndërrojë emrin asnjëherë.

“Zyrtarët e Trepçës nuk i dinë mirë zanafillet, sepse janë vetëm që katër vjet në klub. Ata nuk e dinë ndoshta se Trepça fillimisht është nisur për t’u regjistruar me emrin Rinia dhe themelues kanë qenë Sylejmani e Alaj”, tha ai. “Trepça le të vazhdojë me emrin e vet, kurse Trepça ’89 me emrin e vet. Ne mburremi me Trepçën ’89 dhe gjithmonë do të mburremi me Trepçën ‘89”, theksoi Zeka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›