E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet shkollë serbe në Fier

Nga Express më 19 shtator 2011 në ora 12:21

Në Libofsh të Fierit në Shqipëri gjatë fundjavës u bë përurimi i një shkolle me mësim në gjuhën serbe, e cila do të organizojë kurse në gjuhën serbe.

Në ceremoninë e lëshimit të shkollës ka marrë pjesë ambasadori serb në Tiranë, Miroljub Zaric, i cili premtoi se shkolla të tilla do të hapen në të gjitha ato zona ku jeton komuniteti serb në Shqipëri.

Shkolla të tilla deri tani janë hapur në Shkodër dhe Lezhë, por planifikohet edhe në zona tjera.

Në këtë komunë rurale Libofsh jeton një pakicë e vetëquajtur serbe, e cila daton si popullsi e ardhur në vitin 1924 nga zona e Novi Pazarit.

Kjo popullsi me emra mysliman supozohet se është myslimane dhe boshnjake.

Por, nisma për hapjen e shkollës është bërë me aktivitetet e shoqatës famoze serbo-shqiptare “Maracna – Rozafa”, me seli në Shkodër.

Kjo shoqatë është e njohur edhe për organizimin e njohjeve dhe martesave të vajzave të reja shqiptare në Serbi.

Të gjitha pajisjet e shkollës janë sjellë nga Serbia, ndërsa ambasadori serb premtoi ndërtimin e godinës së re të shkollës.

Ai theksoi se në çdo vend në Serbi lejohet hapja e shkollave të tilla, edhe pse ai ka harruar se Ministria e Arsimit e Serbisë nuk lejon plan-programe dhe libra në gjuhën shqipe për nxënësit e shkollave në Luginën e Preshevës.

(INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›