E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet tenderi ndërkombëtar për bulevardin e ri të Tiranës

Bashkia e Tiranës ka hapur tenderin ndërkombëtar për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës. Bashkia e Tiranës ka në dispozicion fondin prej 61.000.000.00 euro për zbatimin e projektit të studios arkitekturore “Grimshaw Architects”, për zgjatimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Punimet e zbatimit të këtij projekti do të financohen nga marrëveshja e financimit ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Fondit të Zhvillimit të Abu Dhabit, firmosur në datë 21 prill 2013, me vlerë 54.000.000.00 euro si dhe grantit nga qeveria e Katarit me vlerë 7.000.000.00 euro.

Në fazën e parë të punimeve që nis nga Stacioni i Trenit përfshihet edhe një parkim i madh nëntokësor. Përgjatë bulevardit është parashikuar kalimi i linjës së tramit, që do të lidhë terminalin multimodal të pasagjerëve me sheshin “Nënë Tereza”. Në bulevardin e ri të Tiranës do të ndërtohet Pallati i Drejtësisë, godina e re e Bashkisë dhe institucione të tjera publike, qendra biznesi etj., transmeton BW

Korridori i lëvizjes përgjatë bulevardit veri - jug si dhe unaza veriore e qytetit do të sjellin zgjidhje afatgjatë për zhvillimin e qytetit, në lidhje me transportin, trafikun, infrastrukturën urbane dhe mbetet zgjidhja e vetme për një mjedis sa më ekologjik.

Ky projekt përveç se dyfishon gjatësinë e bulevardit kryesor të Tiranës, do të krijojë një rrugë për një qasje të re të madhe, për shtimin e hapësirave të gjelbra në qytet, duke u bërë në këtë mënyrë projekti më i rëndësishëm në Tiranë në 80 vitet e fundit.

Aktualisht lumi i Tiranës është një zonë e lënë pas dore dhe në disa vende është kthyer në vend grumbullimi të mbetjeve të ndryshme urbane. Zbatimi i projektit të bulevardit verior dhe lumit të Tiranës do të zhvillojë një nga pjesët më të prapambetura të qytetit të Tiranës./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›