Hoxhaj: Serbia e ka shkelur marrëveshjen

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve, ANSAMed, ka thënë se përjashtimi i Kosovës nga konferenca në Maqedoni, përbën një shkelje të rëndë nga ana e Serbisë, të marrëveshjes së nënshkruar muajin e kaluar në Bruksel.
“Përjashtimi ynë nga konferenca e 10-të e presidentëve të parlamenteve të projektit për bashkëpunim evropian juglindor si dhe nga Samiti i 1 dhe 2 qershorit i krerëve të shteteve dhe të qeverive, është një shkelje serioze e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja, e nënshkruar më 19 prill”, ka thënë ministri Hoxhaj për ANSA, duke iu referuar takimit që do të zhvillohet në Ohër të Maqedonisë, ku do të marrin pjesë vendet e rajonit.
“Qeveria e Serbisë ka kërkuar që ne të lihemi jashtë. Faji bie mbi presidentin e Serbisë, Nikolic”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se një lëvizje e tillë është në kundërshtim me pikën 14 të marrëveshjes së nënshkruar më 19 prill në Bruksel.
Më tej ministri Hoxhaj ka thënë se marrëveshja thërret Serbinë dhe Kosovën që të mos pengojnë proceset integruese evropiane të njëra-tjetrës.
Hoxhaj, po ashtu ka theksuar se beson që Bashkimi Evropian duhet të veprojë.
“Përmes këtij veprimi, Serbia ka dëmtuar kredibilitetin e BE-së”, ka thënë Hoxhaj./Indeksonline/