Ja çfarë thotë Salustro për “Grupin e Drenicës”

Prokurori i Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, Maorizio Salustro, që është i ngarkuar me rastin e hetimit ndaj “Grupit të Drenicës”, sot ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, ndaj vendimit për arrest shtëpiak për shtatë ish-pjesëtarët e UÇK-së, të dyshuar për krime lufte.
Burimet e Indeksonline brenda EULEX-it kanë thënë se, në ankesën e prokurorit drejtuar kolegjit të gjykatës, ndër të tjera shkruan se, gjykatësi i procedurës paraprake ka gabuar me vendimin që i ka lënë në arrest shtëpiak njerëzit që kanë ndikim.
“Në këtë rast ka dëshmitarë të koduar dhe këta persona mund të zbulojnë identitetin e tyre”, ka thënë italiani Salustro në ankesën e parashtruar sot në gjykatë. Ai madje ka ngritur dyshime se këta persona mund të ndikojnë edhe në Policinë e Kosovës.
“Dyshoj që këta persona mund të ndëryjnë edhe në Policinë e Kosovës, pasi që njëri ndër ta është ambasador, tjetri kryetar komune dhe të njëjtit kanë ndikim politik”, ka deklaruar prokurori, tregojnë burimet e Indeksonline.
Italiani në ankesën drejtuar gjykatës ndër të tjera thotë se, Sami Lushtaku është njeri i dhunshëm dhe është i dënuar tri herë nga gjykata.
Ankesë kundër vendimit për arrest shtëpiak ndaj shtatë të dyshuarve ka bërë edhe mbrojtja e "Grupit të Drenicës". Ankesat e avokatëve mbrojtës të të dyshuarve dhe ankesa e prokurorit do të shqyrtohen gjatë kësaj jave dhe varësisht prej të gjetuarve mund të ketë ndonjë vendim të ri./Indeksonline/