Hapi gropa si të Sejdisë dhe vuri çadra si të cirkut
Një trishtim që të mbyt në fyt, më ngjau dje pamja e kryeqytetit. Nga do të kalojmë për të shkuar tek ministria e jashtme? Nëpër qendër stopohesh, nuk kalohet. Një gropë e madhe. Hapur në mes të sheshit qendror. Mendja më tha se nja 300 m më tutje gjendej edhe gropa e Hajdin Sejdisë. Mos e dhëntë Zoti, që kjo qendër të mbetej si e famshmja gropë e Sejdisë. Duhet të kthehemi. Të qëndrojmë në semafor. Të shtyhemi ca metra. Qëndrojmë. Të shtyhemi sërish. Qëndrojmë. Ku vete kështu? Dhe sa mund të ikësh kështu? E di si qëndron kjo punë. Kësaj i thonë: rrini ju sa të mendohet Rama se çdo të bëjë me gropën. Deri në stacionin që kishim, shkoi 1.5 orë.
Kthehemi e ndalemi. Hedh sytë nga e majta tek sheshi përkarshi kryeministrisë, tek çadra e cirkut metropolitan. Jo, është shfaqja e fundit e cirkut socialist. Ajo pamja përkarshi me rrugën e bllokuar shqyrtonte një fakt të thjeshtë: Si ranë nën kurthin e Edi Ramës dhe Gramoz Ruçit gjithë ata burra me mend e me shkollë. ç’kauzë burrat e dheut? Dëgjoni Takun si priftin e fshatit që ngre një dorë lart e tjetrën poshtë. Nuk janë hieroglife të pashqitshme. Janë thjeshtë fjalë në erë, që do të mund të përktheheshin: “Rrini ju, rrini aty, se një herë në natë vij e ju tregoj unë nga një mesele”.
Ikëm përtej gardhit ku ruheshin çadristët. Turpi nuk ka ngjyrë. Ai mbetet i dallueshëm. Por kësaj radhe, ka formë çadrash, në ngjyrë të bardhë në të verdhë. I identifikuar në mes të bulevardit kryesor të kryeqytetit, gjithsesi nuk është ndonjë ekzibicion i piktorit dështak. është një realitet bardhezi që e njollos keqani opozitën shqiptare.
Mezi ikëm nga trafiku. Kryebashkiaku e ka kthyer kryeqendrën në një ferr. Mirë ne, që një ditë në muaj u ndodhëm në kryeqytete, por vendalinjtë si ia bëjnë? Më kujtoi një histori nga koha e qepës: Erdhi një i huaj atë kohë. Do ta shpinin për vizitë në Vlorë. Të marrim një taksi. Jo, tha i huaji. A ka tren? Ka posi. Udhëtojmë më mirë me tren, tha. Po treni mban gjashtë orë i thanë. Po pse more burra, tha, Karpatet jemi duke kaluar? Kështu me kryeqytetin tim. Për të shkuar nga një destinacion në tjetrin nuk mundesh. Kryebashkiaku ka ngritur barrikada. Diku ka hapur gropa, ca më tej porositi dhe ngriti çadra. Një pamje e tillë alla Afganistan është shpërfytyrim për një kryeqytet në mes të Evropës. A mirë nuk do të qe që tu thuhet atyre burrave dhe grave :” çmontoni çadrat, hiqni hunjtë,mblidhni plaçkat dhe kthehuni në shtëpi. Edhe Big Bradhër përfundoi javën e shkuar. Koha jonë është lëvizja e juaja, ngurtësimi.