Letra/Braktisni dështakun dhe mashtruesin Rama
Kur përmenden grevat e urisë, kujtoj me respekt sakrificën e grevistëve: Fatos Jahos, Besnik Doshlanit, Alban Zadesë, Ilir Mërtirit, Dionis Delisë, Besim Mesitit; organizatorëve Edmond Tullumani, Vangjush Furxhi, Kastriot çipi; mbështetësve të shumtë si Pjetër Arbnori, Limos Dizdari, Ylli Vejsiu, Xhevahir Spahiu, Mirush Kabashi, Ibrahim Madhi, Zhani Ciko, Kastriot çaushi, Petrit Malaj, Kiço Londo, Zana Shuteriqi, Nora çashku, Agim Qiriaqi, Irini Qiriako, Rexhep çeliku, Isak Shehu e mijëra artistëve dhe qytetarëve nga e gjithë Shqipëria.
Greva u quajt e “paligjshme” nga zoti Rama, na shkëputën telefonin, boshatisën dhe errësuan gjithë sheshin ‘Skënderbej”, u thyen dyert nga policia në orën 2 pas mesnate, na futën në një autoambulancë-furgon dhe nuk na thoshnin asgjë se ku po na çonin. Ke dijeni për të gjitha këto ndodhi zoti Edvin Rama? Po juve zoti Ngjela, ju kujtohet diçka? Kur ne shpresonim mbështetjen tuaj si njeri i dënuar nga regjimi komunist, ju dolët në krah të Ramës sepse ishit “në mbështetje të publikut që humbi një shfaqje në opera” (intervista tek Klan) dhe sot dilni po në krah të Ramës për të bllokuar hapësirat publike. Avokat sinqerisht dyshoj në sinqeritetin tënd. Rama të vodhi votat në 2003 dhe ti shkon pas një hajduti për të mbrojtur “votën”, ëëë?
Në grevën tonë u quajtëm të manipuluar nga opozita, por koha tregoi që kjo s’ishte e vërtetë. Kërkesa jonë ishte e qartë: Të ndryshohej përmbajtja e projektligjit për Teatrin, dhe këtë ne e arritëm jo nëpërmet dhunës (gjë të cilën ti zoti Rama e dëshiroje dhe e provokoje nëpërmjet hafijeve) por ne ishim aq të mençur dhe patriotë për ta shmangur dhunën sepse idealet tona qenë dhe janë më fisnike sesa etja jote për pushtet dhe lavdi. Kur ish-kryeministri Meta na ftoi për dialog, ne i ndërpremë protestat dhe u ulëm të bisedojmë. Preç Zogaj mund të dëshmojë për këtë. Kur ti zoti Rama nuk pranoje asnjë negociatë, ne e vazhduam përpjekjen tonë në Parlament dhe arritëm të ndryshonim thelbin hileqar e grabitqar të projektligjit tënd. Ne fituam, edhe pse mbetëm pa punë për shumë kohë, sepse ti jepje porosi që të mos na zinin këmbët dhé në vendin tonë.
Në fund të vitit 1999 dhe fillimvitin 2000 varfëria ishte e tejskajshme, por ne nuk e shfrytëzuam këtë për “kryengritje”, gjë të cilën ti po e bën edhe pse nuk mund të krahasohet niveli i jetesës së shqiptarëve me atë para 10 vjetëve. Kush vend nuk është në krizë sot, “përveç Kubës”.
Bashkëatdhetarë të nderuar, të vuajtur, të persekutuar nga mashtuesit, mos u gënjeni nga demagogjia e Edi Ramës, gjykoni me gjakftohtësi dhe në interes të familjes tuaj, të së nesërmes. Shqipëria ka vuajtur dhunshëm nga revolucionet e tipit Lenin-Stalin/Enver-Edvin. Edhe pse shoqëria shqiptare ka shume probleme për të zgjidhur, a mund të besoni se Edi Rama është personi i duhur për t’u sakrifikuar për të ardhmen. Unë, ashtu si shumica juaj, që e kam ndërtuar çdo gjë mbi punën, pasionin, ndershmërinë dhe përkushtimin ndaj profesionit dhe vendit tim, mbi respektin ndaj vlerave morale, kulturore dhe intelektuale, dyshoj në qëllimin dhe mënyrën si ka vepruar dhe vepron “udhëheqësi shpirtëror” dhe frymëzuesi i anarkisë. Dyshoj sepse e njoh mirë se kush është. Për të gjykuar për një lider nuk mjafton vetëm të dëgjosh se sa bukur flet, shiko se çfarë ka bërë dhe si. A mundet një trafikant vizash të jetë pro liberalizimit të tyre për qytetarët. Kurrë jo, e pra në kohën që ishte ministër Kulture, Edi Rama ka firmosur me dhjetëra lista për vizë në ambasadat e ndryshme, por kryesisht italiane, me dhjetëra grupe “artistike” që shkonin gjoja “Për koncerte” dhe pjesa e luanit shkonte direkt në xhepin e tij. A mundet të besohet frymëzuesi i korupsionit si “kalorës i luftës ndaj korrupsionit”? Zot na ruaj!
Të nderuar kolegë, bashkëqytetarë, Ruajuni nga dështakët, braktisini sa s’është vonë! Duke respektuar këdo që proteston për padrejtësitë mendoj se rruga më e mirë për zhvillimin dhe begatimin e shoqërisë shqiptare duhet të jetë evolucioni, përmirësimi i vazhdueshëm i sistemit, qeverisjes dhe vetëdijes qytetare. Sakrifikimi për interesa madhore vlerësohet nga shoqëria, por kur këto lëvizje inspirohen dhe udhëhiqen nga një mashtrues, dyshoj shumë dhe nuk do të dëshiroja kurrë që të përsëritej refreni i këngës “Me 200 petrita, komunista lule”.
Një plak i mënçur në fshatin tim thoshte: “Bindja në ligj sjell qytetërimin në botë”.
Braktiseni dështakun dhe mashtruesin Rama.
Me nderime,
Bujar Llapaj, Dirigjent, Vankuver (Kanada)