"Hapja e kutive? Do ta shqyrtojmë nismën"
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje se kërkesa e paralajmëruar nga opozita për një projektligj mbi hapjen e kutive të votimit do të shqyrtohet. Këtë qëndrim Topalli e mbajti pas takimit me kryetarin e Senatit kanadez, Noel Kinsella. Ishte ky i fundit që, duke shpjeguar kuptimin e fjalës Parlament nga frëngjishtja, i ka kujtuar opozitës se fjala Parlament në frëngjisht do të thotë "me fol". "Një nga kushtet për të folur është prania në Parlament. Si Kryetar Parlamenti unë inkurajoj të gjithë anëtarët e tij të vijnë e të flasin në Parlament", theksoi kryetari i Senatit kanadez. Sakaq, kryeparlamentarja Jozefina Topalli theksoi se "si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë pres që opozita të vijë në Parlament, pres deputetët e zgjedhur nga shqiptarët, që i kanë ngarkuar detyrën e rëndësishme të bëjnë misionin e opozitarit, të jenë të pranishëm në Parlament. Ata do të kenë të gjitha hapësirat që lejon Kushtetuta, ligji dhe gjithë fleksibilitetin e Kryetares së Parlamentit për t‘i respektuar në detyrën e tyre". Duke komentuar nismën e PS-së për mbledhjen e 20 mijë firmave për të kërkuar hapjen e kutive të votimit, Topalli u shpreh se "çdo iniciativë kushtetuese do të shqyrtohet në Parlament. Po unë mendoj që edhe atje kishte rrugë për këtë nismë". Ju e dini, tha ajo, që në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit nuk ka nevojë që t‘i lodhin fare shqiptarët. "Mjafton iniciativa e një deputeti për t‘u shqyrtuar në Parlament. Rrugët kushtetuese, pasi rrugët ligjore respektohen në Parlament", insistoi ajo. Socialistët kanë filluar mbledhjen e të paktën 20 mijë firmave prej shqiptarëve për të depozituar në Kuvend një projektligj, me anë të të cilit kërkohet hapja e kutive të 28 qershorit. Bazuar në kreun e katërt të Kushtetutës dhe në nenin 81 të saj, ku flitet për procesin ligjvënës, socialistët kanë shfrytëzuar pikën 1, ku thuhet se: "Të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës". Nisur nga fakti se deputetët e Partisë Socialiste ende nuk janë ulur në Kuvend, atëherë e vetmja rrugë për të bërë të mundur kërkesat e tyre që kanë në qendër transparencën e votës së 28 qershorit, ka mbetur propozimi i 20 mijë shqiptarëve. Ky projekt do të shërbejë për të kërkuar edhe identifikimin e përgjegjësive të të gjithë zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë apo administratës së burgjeve, që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi kanë pajisur me leje lirimi të përkohshme gjatë periudhës elektorale 29 maj-28 qershor 2009, persona të dënuar. "Vetëm ditën e protestës, në spontanitet të plotë, numri i firmave në dijeninë time, të paktën deri në momentin kur unë zbrita nga tribuna për të vazhduar bashkë me të tjerët, e kishte kaluar 10 mijëshin", sqaroi kreu socialist Edi Rama, një ditë pas protestës së opozitës. Në vlerësimin e tij, socialistët janë në kushtet kur me lehtësinë më të madhe mund të bëjnë numrin e firmave të nevojshme, sipas Kushtetutës për të çuar në Parlament, me kërkesë të qytetarëve, apelin kushtetues për hapjen e kutive të votimit dhe hetimin e zgjedhjeve.
E.Gjura
E.Gjura