Topalli: Dosjet? Mund të arrijmë një konsensus
Rikthehet sërish debati për ligjin e dosjeve pas vendimit të Komisionit të Venecias për rishikim nga institucionet shqiptare. Me tone më të zbutura, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, parimisht u shpreh se ky ligj mund të rishikohet sërish, por për këtë duhet të jetë në sallën e Kuvendit opozita. Topalli u shpreh parimisht "pro" rishikimit të ligjit, pasi deklaroi se ajo ende nuk është njohur zyrtarisht me vendimin e Komisionit të Venecias. Pas kthimit të opinionit nga Komisioni i Venecias, Topalli ka lënë të kuptohet se mazhoranca është e gatshme të miratojë një variant konsensual të ligjit shumë të debatuar për "dosjet", nëse opozita do të futet në Kuvend dhe të pranojë ridiskutimin e tij. "Ne respektojmë vendimet e gjykatave, vendime të tilla të gjitha respektohen. Detyra e parlamentarëve është për të parë se çfarë hapësirash ka për mundësimin e kompromiseve më të gjera, për të respektuar të tilla vendime. Kjo, në të njëjtën kohë, kërkon një votë më të gjerë, kërkon praninë e opozitës në Parlament", theksoi Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Komisioni i Venecias, një organizëm i Këshillit të Europës, i përbërë nga ekspertë ligjorë, e konsideroi si antikushtetues ligjin e dosjeve të miratuar në dhjetor të 2008-s.