Hapja e kutive, socialistët e demokratët debatojnë në Komisionin e Ligjeve
Eljona Ballhysa
Vazhdon debati politik midis socialistëve dhe demokratëve për hapjen ose jo të kutive të votimit. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, ku prej dy ditësh po shqyrtohen nismat e PS-së për ngritjen e një komisioni hetimor, debati është përqendruar pikërisht te neni që parashikon hapjen e kutive të votimit. Megjithëse diskutimi është bërë në parim, deputetët e të dy kampeve e kanë përqendruar diskutimin në nenin e nxehtë që parashikon hetimin e pakufizuar të procesit zgjedhor të 28 qershorit. Anëtarët socialistë të Komisionit të Ligjeve ua kanë bërë të qartë kolegëve demokratë se nuk kanë ndër mend të pranojnë asnjë ndërhyrje në projektligjin e tyre për komisionet hetimore. Ata kanë konfirmuar se nuk do të heqin dorë nga hapja e kutive për të vërtetuar manipulimin më 28 qershor dhe as nga afatet për këtë hetim. Por as maxhoranca nuk është tërhequr në qëndrimin e saj, duke theksuar se ndërhyrja në kutitë e zgjedhjeve është antikushtetuese.
Debati
Në fillim të mbledhjes fjalën e kanë marrë dy relatorët respektivë. Draftin e Partisë Socialiste e ka mbrojtur deputeti Saimir Tahiri, i cili i ka bërë thirrje Komisionit të miratojë dy draftet pa ndryshime thelbësore. “Miratimi i projektligjeve është shenjë e vullnetit të përbashkët për zgjidhjen e krizës dhe i jep fund asaj”, - tha Tahiri. Sipas tij, dy projektligjet synojnë transparencë të plotë të procesit zgjedhor dhe në to janë paraqitur gjithë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. “Partia Socialiste, nëpërmjet këtyre dy drafteve, institucionalizon të drejtën e pakicës për hetim dhe kjo do t’i shërbejë vendit edhe në të ardhmen”, - është shprehur relatori socialist. Hapja e kutive të votimit është një nga pikat e projektligjit socialist, që sipas opozitës, nuk kërkon ndryshim rezultati, por hetimin e fenomeneve që mund të kenë dëmtuar zgjedhjet. “Projektligji sanksionon të domosdoshëm hetimin efektiv të plotë dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve të përgjithshme dhe vendore, duke e kthyer këtë praktikë në një standard ligjor të gjithëpranuar”, - ka vijuar më tej deputeti Tahiri.
Pas Tahirit ka folur relatori i caktuar nga deputetët e PD-së, Viktor Gumi, i cili është ndalur pikërisht te kërkesa për hapjen e kutive duke theksuar se kjo bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për funksionimin e komisioneve hetimore. Ai tha se hetimi parlamentar, për të qenë kushtetues, duhet të jetë i kufizuar dhe me afat të përcaktuar qartë. Sipas Gumit, nuk mund të konsiderohet në përputhje me parimet kushtetuese një hetim që nuk i përket legjislativit dhe qëllimeve të tij. “Komisioni parlamentar ngrihet kur ekziston në fakt çështja e veçantë, dhe jo të zbulohet ose të gjendet një e tillë në të ardhmen. Vendimet e KQZ-së janë të ankimueshme në Kolegj, i cili në fund jep vendimin e formës së prerë”, - është shprehur Gumi. Pas më tepër se 2 orë debatesh, asnjë nga palët nuk u duk e lëkundur në qëndrimet e veta, as pas argumenteve të paraqitura nga kundërshtarët. “Ju do të na ndani ne çfarë është thelbësore dhe çfarë është jothelbësore, me qëllim që të kuptojmë dhe ne ku është kufiri i tolerancës që ka zoti Tahiri dhe ku nuk preket ky kufi tolerance. Pyetjes me shqetësim konstruktiv nuk mund t’i jepet sallatë propagandistike. Modeli i komunikimit me megafon dhe me kundërshtim nuk është modeli i komisionit”, - tha Ilir Rusmali, i cili reagoi ashpër për shkak se socialistët nuk lëshojnë pe në kërkesën e tyre për transparencë të pakufizuar të procesit zgjedhor. Kjo ka sjellë reagimin e deputetit Fatmir Xhafaj, i cili theksoi se PS-ja është e pranishme në Kuvend për të gjetur zgjidhjen e krizës. “Nuk është në interes të palëve dhe të qëllimit për të cilin jemi mbledhur. Ne nuk kemi ardhur këtu t’ju bëjmë juve optimist, ne kemi ardhur këtu për t’ju dhënë zgjidhje. Nëse juve u pëlqen sallata apo mishi i pjekur, kjo është çështja juaj, nuk është çështja jonë”, - është shprehur Xhafaj. Seanca e radhës e Komisionit të Ligjeve për draftin e PS-së do të jetë të hënën, ku diskutimi i projektligjit të selisë rozë do të jetë nen për nen.
10 Mars 2010