E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli-Erdogan: Shqipëria dhe Turqia, partnere strategjike për sigurinë në rajon



Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i rezervoi një takim të veçantë kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Duke i uruar mirëseardhjen dhe duke e falënderuar për praninë e saj në Samitin botëror “Të drejtat e grave lidhin Lindjen me Perëndimin”, kryeministri Erdogan theksoi se Turqia dhe qeveria e tij po i kushtojnë gjithnjë e më tepër vëmendje çështjes së promovimit të të drejtave të grave. “Turqia dhe Shqipëria mbeten jo vetëm vende të lidhura nga tradita historike e miqësisë dhe bashkëpunimit, por gjithnjë e më shumë ato po kthehen në dy partnere strategjike dhe faktorë të rëndësishëm të stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Në katër vitet e fundit marrëdhëniet midis dy vendeve janë intensifikuar dhe në nivelet më të larta. Shqipëria është vendi që kam vizituar më shpesh”, - tha ai. Në bisedë u shpreh kënaqësia për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me tregues dinamikë dhe u shpreh vullneti për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit në të gjitha fushat, me interes reciprok. Gjatë bisedës u theksua se biznesi turk vlerëson lehtësimet dhe klimën e favorshme që është krijuar në Shqipëri për investitorët e huaj. Të dy bashkëbiseduesit u shprehën se synimi dhe ambicia për të kapërcyer vlerën e një miliard dollarëve të shkëmbimeve tregtare nëpërmjet dy vendeve.

Berisha takon sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut

Kryeministri Berisha priti dje në një takim sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut, Troels Froling. Në këtë takim dy politikanët biseduan për kontributin e Shoqatës së Traktatit të Atlantikut për informimin e publikut dhe promovimin e vizionit për paqen, sigurinë globale dhe vlerave të lirisë e demokracisë që mbron Aleanca e Atlantikut të Veriut. Shoqata e Traktit të Atlantikut të Veriut është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare e themeluar më 18 qershor 1954, për të mbështetur misionin e NATO-s përmes ndërgjegjësimit dhe mbështetjes së opinionit publik ndërkombëtar ndaj vlerave të përbashkëta euroatlantike që përkrah dhe mbron NATO-ja. Shoqatat e vendeve anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare të Atlantikut kanë në radhët e tyre personalitete të shquara të politikës, jetës akademike, shoqërisë civile dhe të tjerë, të më shumë se 42 vendeve. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Traktatit të Atlantikut, zoti Troels Froling, i shprehu mirënjohjen kryeministrit Berisha për mbështetjen që qeveria shqiptare po i jep organizimit të Asamblesë së Përgjithshme të 56-të të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut në Tiranë, në vjeshtë të vitit 2010. Në këtë ngjarje të rëndësishme pritet të marrin pjesë zyrtarë të lartë të NATO-s, personalitete të shquara nga 42 vendet anëtare e partnere të NATO-s që janë anëtarë të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut, duke përfshirë edhe personalitete të larta politike të vendeve të rajonit tonë të Ballkanit Perëndimor.

10 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›