“Hapja e kutive vlen vetëm për djegien e fletëve të votimit”

Deklaron kreu i KQZ-së Arben Ristani
Nëse do të ketë një vendim për hapjen e kutive të votimit, atëherë ky vendim do të jetë vetëm për djegien e fletëve të votimit, të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë të vitit të kaluar. Ky është konfirmimi zyrtar i institucionit përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve, KQZ, në kushtet kur Shqipëria po përballet me një ngërç politik të paprecedentë, shkaktuar nga ecejaket e paqarta dhe të mjegullta të një karikature politike, si kryesocialisti Edvin Rama, i cili tenton të dhunojë verdiktin e sovranit dhe njëherazi të shtrembërojë interpretimin e ligjit për vendimet e gjykatave.
Në këtë drejtim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hedh poshtë çdo tendencë antiligjore të Partisë Socialiste, për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Përmes një deklarate për mediat, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, shprehet se nëse do të hapen kutitë e votimit, atëherë kjo procedurë do të vlejë vetëm për djegien e fletëve të votimit, jo ri numërimin e tyre.
Reagimi i Ristanit vjen në një kohë kur kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk po ndal sulmet e përditshme ndaj institucioneve kushtetuese, duke kërkuar prej tyre në shkelje flagrante ligjore, krijimin e një precedenti të rrezikshëm, pasi vetëm në këtë mënyrë ka paralajmëruar ai, mund të njohë vendimmarrjen e institucioneve shtetërore.
“Fletët e votimit nuk janë një dokument zyrtar që mbahet nga institucioni jonë mbi bazën e këtyre rregullave, nuk janë dokumente që futen në arkiv dhe mbahen në arkivin e KQZ. Ato në këtë moment që flasim duhet të ishin hi, pra, të asgjësuara. I vetmi veprim në bazë të ligjit është në rast se hapen kutitë patjetër do t’i djegim se kështu thotë ligji. Për mendimin tim debati për hapjen e kutive është i kotë, sepse i vetmi destinacion ligjor i këtyre fletëve të votimit, është të bëhen hi”, deklaron Arben Ristani, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Duke iu referuar rasteve konkrete, Ristani theksoi se për këtë arsye, ka marrë përgjigje negative edhe kërkesa e kreut të G 99 që t’i vihen në dispozicion fotokopjet e fletëve të votimit.
Ai nënvizon se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t’i djegë fletët e votimit në çdo moment, por nuk e ka bërë këtë për të mos tensionuar më tej situatën.
“Kur ne mund ta kishim bërë këtë punë, ndërkohë kishte nisur debati politik rreth këtij problemi. Dhe figurativisht, për të mos i hedhur benzinë zjarrit, menduam që palët do të binden që kërkesa e tyre është e paligjshme dhe në një kohë të qetë ne mund të fillonim këtë lloj veprimtarie. Ky debat për këtë çështje nuk do të bëhej nëse do ishin djegur më parë, po jam i bindur që debati nuk e ka këtu problematikën, do të ishte gjetur ndonjë problem tjetër”, u shpreh më tej, kreu i KQZ.
Ndërkaq, lidhur me nenin e debatueshëm, i kodit zgjedhor që i njeh të drejtën dy anëtarëve të KQZ të kërkojnë rinumërim votash, Ristani shprehet se kjo pikë trajtohet politikisht.
Sipas tij, ligji është mjaft i qartë, kërkohet rinumërim kur ka vota që janë kontestuar gjatë procesit të numërimit.