E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapja e tunelit te rruges Durres-Kukes, jehone te madhe nga mediat nderkombetare

Përurimi i çeljes se tunelit te Kalimashit si nyje kyçe inxhinierie e autostradës moderne Durrës-Kalimash, ka bërë vend në mediat e shkruara, ato on-line dhe elektronike, për domethënien e saj në Shqipëri dhe Kosovë, por dhe më gjerë për rajonin. 

Jehona ka qenë e madhe, si në mediat e huaja edhe tek ato të rajoni, sigurisht edhe të Shqipërisë.

Në ceremoninë e inaugurimit të tunelit në zemër të autostradës morën pjesë dy liderët, Sali Berisha dhe Hashim Thaçi të cilët në këtë projekt shohin një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy kombeve. 

Mediat e huaja

Agjencia e lajmeve “Associated Press” që është cituar deri në Tajvan nga “News online”, e sheh hapjen e tunelit që lejon ndërtimin e një rruge të shpejtë që do të shkojë në Kosovë, 20 vjet pas rrëzimit të komunizmit, si një hap që do të afrojë më shumë shqiptarët në të dy anët e kufirit.

Ndërkohë që stacioni i mirënjohur televiziv amerikan, CNBC dhe ai “Euronews”, citonin Kryeministrin Berisha teksa shprehej i emocionuar se, “sot ne kemi vendosur se nuk ka më male, nuk ka më pengesa, nuk ka më asgjë që shpirtërisht ose fizikisht të ndalojë këtë komb”, duke u thelluar më pas në analizën e përfitimeve që do të sjellë kjo rrugë si në rritjen e madhe të fluksit të turizmit drejt brigjeve shqiptare që do të arrihen në vetëm 4 orë. 

Edhe agjencia prestigjioze e biznesit “Business Week” do të shprehej duke veçuar fjalët e Kryeministrit të Kosovës, Thaçi se me këtë tunel Shqipëria dhe Kosova, Tirana dhe Prishtina janë më pranë se kurrë dhe do të qëndrojnë kështu përgjithmonë.

Agjencia “Intelli News” me lajme nga 16 vende te Evropës qendrore e lindore, me 10 vjet eksperiencë, ka pasqyruar ngjarjen qe pritet te jape efekte ekonomike të fuqishme në zhvillimin e rajonit. 

Ndërsa, stacionet BBC, “Deutsche Welle” dhe “Zëri i Amerikës” i dhanë gjithashtu peshën qendrore në edicionet e tyre ngjarjes së Kalimashit. 

“Zëri i Amerikës” e prezantoi ngjarjen me simboliken e takimit të dy kryeministrave në mesin e tunelit të Kalimashit, pas rrëzimit edhe të pengesës së fundit që shënoi bashkimin e të dy anëve të tij. Kryeministri Sali Berisha hipi vetë dhe drejtoi makinerinë e rëndë që çau murin ndarës të mbetur. Delegacioni nga Kosova priste në anën tjetër.

Mbi domethënien e përfundimit te punimeve në njërin prej dy objekteve më të vështirë të autostradës që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën, BBC ka veçuar deklarimin e kryeministrit Berisha qe tha se rruga që përmes tunelit të Kalimashit do të zgjatet më tej drejt Kosovës, “bashkon kombin” dhe “integron përveç shqiptarëve dhe maqedonasit, serbët, bullgarët dhe gjithë rajonin e Ballkanit”.

Kanali i lajmeve (Nachrichten CH) në Gjermani e ka komentuar festimin e “Republikës se Shqipërisë” dhe të “Kosovës së qeverisur nga shqiptarët”, për lidhjen e parë me autostrade si “një hap tjetër drejt afrimit”. 

Agjencia “Rinachita Balkanica” ka njoftuar gjithashtu hapjen e tunelit pas një sere njoftimesh ne radhe për ecurinë e punimeve ne 800 metra thellësi te malit .

Lidhja më e shpejtë mes Shqipërisë dhe Kosovës është bërë e ditur dhe në citimin e Agjencisë Gjermane të lajmeve SDA e cila ka veçuar deklarimin se “vendet janë ndare nga historia dhe padrejtësia”. 

Përurimi i kryeministrit Berisha dhe Thaçi ka gjetur pasqyrim nga agjencia e lajmeve DPA te cilat komentojnë se lidhjet politike dhe ekonomike mes dy vendeve pritet te intensifikohen tani. 

Gazeta britanike “Earth Times” thotë se për ndërtimin e kësaj vepre që ka kushtuar afro 1 miliard euro janë dashur tre vjet për të ndërtuar, dhe shqiptarëve do u duhet vetëm tre orë për të udhëtuar nga Kukësi në Durrës. 

Mediat e rajonit

Pasqyrimi i kësaj ngjarje gjeti jehonë të madhe edhe në mediat e rajonit.

“Faleminderit Sali Berisha”, ky është titulli i kryeartikullit të gazetës kosovare “Ekspress”, të datës 30 maj 2009, kushtuar autostradës së shqiptarëve. 

“Bjeshkët që ndanin Kosovën me Shqipërinë, shemben sot”, thuhej tek “Express” duke vënë theksin te festa e bashkimit të shqiptarëve që filloi në tunelin që lidh Thirrën e Fanit me Kalimashin e Kukësit, Kosovën me Shqipërinë. 

“Express” vëren se vetëm pak centimetra trashësi dheu kanë bërë përfundimisht bashkimin e dy anëve të tunelit të autostradës së shqiptarëve.

Gazeta “Kosovo Times”, vinte theksin te takimi i dy liderëve Sali Berisha dhe Hashim Thaçi që shënon çeljen e tunelit 5.5 kilometrash që lidh Kosovën me Shqipërinë. Sipas kësaj gazete, tuneli shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit nga Kukësi në Tiranë që më parë kryhej për 8 orë. 

“Kjo rrugë, vazhdon ‘Kosovo Times’, do ti japë një shtysë të fuqishme ekonomive të dy vendeve dhe do të tërheqë investitorët e huaj”. 

Për gazetën “Bota Sot”, “më në fund në këtë ditë po shihet një dritë në tunel”. 

“Bota sot” shpreh urimet e saj në faqen e parë për këtë ditë të madhe të kombit. 

Ndërsa, radio B92 e Beogradit me burime të agjencisë se lajmeve “Beta” duke cituar dhe mediat shqiptare, e ka pasqyruar me vëmendje takimin simbolik ne mes te tunelit qe shpreh lidhjen e kombit te ndare.

Serbja B92 shkruan për ngjarjen historike të shqiptarëve në artikullin Kosova Shqipëria bashkojnë kombin e ndarë duke theksuar se kjo autostradë shkurton ndjeshëm distancën e udhëtimit nga Prishtina për në Durrës. 

Gazetat shqiptare kane pasqyruar gjithashtu ne vend qendror përurimin e ditës se diel, ku një mur simbolik i shembur nga ekskavatori ne te cilin ishte kryeministri Berisha, çeli një nga galeritë e tunelit me te gjate te rrugës qe do te shkurtoje distancat me Kosovën. 

Gjithashtu kjo ngjarje e madhe për kombin shqiptar është paraqitur gjerësisht edhe në SHBA përmes “The Boston Globe”, “The Herald Sun”, “Cleveland on-line”, “Sun News” etj si dhe në agjencinë turke të lajmeve “World Bulletin”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›