Ministri Basha falenderon ambasadoret e OKI-t, per mbeshtetjen ndaj Rezolutes per Kosoven

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, priti dje në një takim Ambasadorët e vendeve të Organizatës së Konferencës Islamike (OKI), të akredituar në Tiranë. Ministri Basha i falënderoi Ambasadorët e Arabisë Saudite, Egjiptit, Iranit, Libisë, Palestinës dhe Turqisë për mbështetjen që qeveritë e këtyre vendeve dhe të gjithë anëtarët e Organizatës së Konferencës Islamike i dhanë Rezolutës së paraqitur nga Shqipëria për Kosovën në Ministerialin e Damaskut, më 23-25 maj.
Ministri Basha e vlerësoi këtë Rezolutë si sukses për organizatën dhe shprehje të solidaritetit të saj ndaj Kosovës.
Kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se Rezoluta është e një rëndësie të veçantë, pasi, Organizata prej 57 shtetesh, vlerëson se zhvillimet e fundit në Kosovë, pra pavarësia e saj dhe ndërtimi i institucioneve, kanë kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Një tjetër aspekt që ministri Basha vlerësoi ishte dhe gatishmëria e shprehur nga të gjitha vendet anëtare të Organizatës për të mbështetur Kosovën dhe ekonominë e saj dhe thirrjen që Ministeriali i Damaskut i drejtoi nëpërmjet rezolutës gjithë bashkësisë ndërkombëtare që të vazhdojë të mbështesë forcimin e Kosovës.
Duke ju referuar edhe takimeve në Damask me homologët e tij, Ministri Basha shprehu bindjen se miratimi i kësaj rezolute do t’i hapë rrugë njohjes të pavarësisë së shtetit të ri të Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike.
...