E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi kundër PD e PS: Jo fëmijë në fushatë

 

Presidenti Bamir Topi kundërshton pjesëmarrjen e fëmijëve në takimet elektorale të partive politike. Gjatë një takimi me përfaqësues të parlamentit rinor me rastin e 1 Qershorit, kreu i shtetit ka mbështetur shqetësimin e nxënësve për përdorimin e tyre në fushatë. Sipas përfaqësuesve të parlamentit rinor, pjesëmarrja e nxënësve në mitingjet elektorale dëmton procesin arsimor dhe edukues të të miturve, pasi i shkëput nga mësimi si dhe përdoret imazhi i tyre për qëllime elektorale të partive politike në Shqipëri. “Presidenti i Republikës i konsideroi të drejta shqetësimet e Parlamentit Rinor dhe i inkurajoi që të jenë aktivë në debatin publik për të shprehur hapur mendimet e tyre, edhe nëpërmjet takimeve me subjekte të tjera”, thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës së kreut të shtetit. Presidenti Topi vlerësoi përfaqësuesit e parlamentit rinor për punën që bëjnë, duke përcjellë zërin e të rinjve në evidentimin e prioriteteve të tyre nëpërmjet sondazheve, intervistave e perceptimit publik me një infrastrukturë rinore të ngritur në çdo qark të vendit si një element që shënon rritje të demokracisë. “Presidenti i Republikës vërejti se Shqipëria ka bërë ndryshime të jashtëzakonshme dhe se janë zgjeruar ndjeshëm hapësirat që të rinjtë të kultivojnë interesat e tyre si një bashkëpunim shkollë, familje e shoqëri. Nga ana tjetër kryetari i shtetit theksoi nevojën për një rritje të kujdesit nga ana e institucioneve për nxënësit, në drejtim edhe të rritjes së cilësisë së shërbimeve arsimore e kulturore, të cilat kërkojnë rritjen e standardeve në nivele evropiane, për të arritur edhe lëvizjen e lirë për të gjithë”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›