E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapni dosjet

Kryetarja e deputetëve të PS-së, Valentina Leskaj, kërkoi dje me vendosmëri hapjen e dosjeve dhe i tha shumicës qeveritare që me këtë të hap, të tregonte gatishmërinë për ta mbyllur përfundimisht çështjen

Kryetarja e deputetëve të PS-së, Valentina Leskaj, kërkoi dje me vendosmëri hapjen e dosjeve dhe i tha shumicës qeveritare që me këtë të hap, të tregonte gatishmërinë për ta mbyllur përfundimisht çështjen. Leskaj foli në seancën plenare të Kuvendit edhe për dy çështje të tjera të rëndësishme. Ajo kërkoi që kryeministri Sali Berisha të paraqesë me shkrim shpjegimet për tragjedinë e Gërdecit dhe që projektligji për dëmshpërblimin e të prekurve nga ngjarja e 15 marsit të mos neglizhohej as nga qeveria dhe as nga ligjvënësit. Leskaj shtoi gjithashtu, që është e domosdoshme që Kuvendi të nisë procedurat për diskutimin mbi heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, pas nevojës fillestare për të paktën 10 ditë kohë që kishte kërkuar deputeti. Pas fjalës së deputetit të PD-së, Aldo Bumçi, i cili kërkoi që të përkujtohej 35-vjetori i revoltës së Spaçit, Leskaj e përshëndeti deklaratën, por theksoi se përgjigjja më e mirë është hapja e dosjeve. “Ne e përshëndesim përkujtimin që iu bë Spaçit, por unë besoj se përgjigja më e mirë për Spaçin është hapja e dosjeve, pra procedimi me ligjet që fshihen në sirtarët e Parlamentit për hapjen e dosjeve. Besoj se ky do të ishte qëndrimi më serioz i Parlamentit, sesa fjalimet që bëjmë ne. Natyrisht që qeveria ose mazhoranca mund ta ketë të vështirë, sepse në qeveri ka bij të atyre që kanë kontribuar për Spaçin direkt ose indirekt”, deklaroi kryetarja Leskaj. Duke reaguar ndaj vonesës në diskutimin e heqjes së imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Leskaj tha se kjo çështje po mbahet në heshtje, ndërsa Kuvendi akoma nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare për këtë çështje. “Ne si opozitë e kemi mirëkuptuar dhe respektuar arsyen dhe kërkesën njerëzore për ta shtyrë këtë për 10 ditë, për sa kohë që zoti Mediu kishte arsye familjare. Por ne nuk mund të kuptojmë se pse kjo çështje po mbahet në heshtje, përse Komisioni i Rregullores, Mandatit dhe i Imunitetit nuk po mblidhet, dhe pse Kuvendi nuk ka një përgjigje për sa i përket çështjes së imunitetit. Unë besoj që kjo është një çështje që duhet të marrë përgjigje, në qoftë se mazhoranca nuk po përpiqet të bëjë atë që po bën me të gjitha çështjet e tjera që kanë lidhje me Gërdecin, që ta kalojë atë në heshtje, duke menduar që Gërdeci mund të harrohet”, ka theksuar kryetarja e deputetëve socialistë, Leskaj. Gjatë fjalës së saj në seancë, ajo ka kërkuar gjithashtu që të vihet në dijeni për nismën e grupit parlamentar socialist për kompensimin e dëmeve të shkaktuar nga shpërthimi i Gërdecit. Kryetarja Leskaj ka ngulmuar në paraqitjen e raportit të kryeministrit Sali Berisha në Parlament për çështjen e Gërdecit, ndërsa vonesën në zbardhjen e ngjarjes e ka cilësuar si një “gur të rëndë mbi qafën e qeverisë”. Në përfundim të fjalës së saj, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Leskaj, tha gjithashtu, se “Gërdeci nuk mund të mbulohet me heshtje”.

Patozi “mbyll” Gërdecin

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, ka ripërsëritur në Parlament, se “çështja e Gërdecit është një çështje e mbyllur tashmë”. Ai tha para deputetëve, se tashmë dëmet e ngjarjes janë dëmshpërblyer nga qeveria dhe Gërdeci është në fazën e rindërtimit. Ai e ka cilësuar kërkesën e opozitës për nismën për dëmshpërblimin e dëmeve si një rikthim në kohë. Kryetari Patozi ka kërkuar që opozita të mos e përdorë çështjen e Gërdecit për betejë politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›