E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj: AAK-ja, vizion për të qeverisur Kosovën

Prishtinë -Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në përvjetorin e 9-të të krijimit të partisë së tij, thotë se AAK-ja, ka vullnet politik për nxjerrjen e vendit nga kriza në të cilën, siç tha ai, e ka futur qeveria Thaçi. “Aleanca do ta udhëheqë Republikën e Kosovës me vizion të qartë dhe vlera të reja perëndimore, me synim të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si dhe në miqësi të përhershme me SHBA-në, ashtu sikurse edhe është vullneti i Kosovës”-deklaroi Haradinaj.

Ndërsa nënkryetari i kësaj partie, Blerim Shala ka thënë se “Si politikanë të AAK-së nuk kemi tjetër detyrë, pos të jemi në shërbim të qytetarëve të vendit, duke qenë nëpunës të shtetit, duke e bërë Kosovën shtet të suksesshëm. Për këtë jemi zotuar në Aleancën për Ardhmëninë e Kosovës. Do ti gëzojmë përkrahësit e AAK-së, por do t’i bëjmë për vete, sepse do të punojmë për ta edhe qytetarët të cilët hamenden për punën dhe cilësinë tonë. Do të bëjmë aleancë me qytetarët e Kosovës, për ardhmërinë e Kosovës, e cila do të jetë shumë më e mirë se sa e tanishmja. Për këtë jemi zotuar në Aleancën për Ardhmëninë e Kosovës”, ka thënë nënkryetari i AAK-së Blerim Shala.

Në shënimin e përvjetorit të 9-të të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës morën pjesë edhe kryetari i Prishtinës Isa Mustafa, një delegacion i LDD-së, PDSH-së, nga Maqedonia dhe i Lidhjes Demokratike të Malit të Zi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›