Obama vulos me firmën e tij ligjin për sistemin financiar
Presidenti i vendit, Barak Obama, të mërkurën shndërroi në ligj përfundimisht ligjin më gjithëpërfshirës financiar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që nga periudha e Depresionit të Madh. Pas nënshkrimit ai u zotua se nuk do të ndodhte më që bankat e mëdha të ‘Wall Street’-it kur të ndodheshin në vështirësi të financoheshin dhe të shpëtoheshin nga paratë e taksapaguesve, siç ndodhi gjatë krizës së fundit financiare të vitit 2008. “Ky ligj nuk do të lejojë kurrë më që populli amerikan të zbrazë xhepat për të shpëtuar bankierët e ‘Wall Street’ për gabimet që ata bëjnë”, deklaroi Obama, ndërsa nënshkroi ligjin e rëndësishëm që më parë u aprovua nga të dyja dhomat e përfaqësuesve në Uashington. Ligji fokusohet në operacione dhe transaksionet e mëdha e të rrezikshme që ka ndërmarrë deri më tani ‘Wall Street’, që në fakt çojnë në kolaps të sistemit. Ishte pikërisht sasia e këtyre operacioneve zanafilla e krizës financiare. Ligji përqendrohet edhe te mënyrat e mbrojtjes së konsumatorit. Obama, që është përballur me shumë kundërshti nga amerikanët në lidhje me mënyrën e shpëtimit të ‘Wall Street’ nga paratë e taksapaguesve, mënyrë që nisi kur ishte Bush në pushtet, ka deklaruar se ligji i ri e ka bërë shumë të qartë faktin se asnjë firmë, apo kompani nuk është e mbrojtur për arsyen “tepër të madhe për të falimentuar”. Ky togfjalësh bëri që shumë institucione të mëdha financiare amerikane, që ishin në prag të falimentit, të pompoheshin me sasi të mëdha parash nga shteti për të mos falimentuar. “Nuk do të ketë më paketa shpëtimi me paratë e taksapaguesve. Nëse një institucion i madh financiar do të dështojë në veprimtarinë e tij, kjo reformë parashikon rrëzimin e institucionit, por pa dëmtuar tërë ekonominë në përgjithësi. Obama ka folur para një audience me 400 persona. Një javë më parë ishte Senati ai që i dha ligjit dritën jeshile për të shtrënguar rregullat e ‘Wall Street’ dhe gjithë industrisë financiare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shkaku kryesor i këtij legjislacioni është mospërsëritja e krizave të tilla financiare si ajo e 3 viteve më parë, e cila rrezikoi të gjitha sferat e ekonomisë amerikane.
Obama dhe demokratët, me frikën se nuk do të dalin mirë në zgjedhjet e muajit nëntor, nxitojnë që të tregojnë se janë duke marrë të gjitha masat për të ligjëruar politika në shërbim të qytetarëve, që ata të mos preken më nga pasojat e rënda të krizave të mundshme. Por mbetet ende e paqartë nëse Obama do t’ia arrijë që të bindë amerikanët, të cilët po përjetojnë një periudhë shumë të vështirë të historisë së tyre, nga ana financiare me një papunësi që vazhdon të jetë në nivelet e 10%.