Fakti/Edi Rama t’u nënshtrohet testeve të drogës, shembull i keq për rininë shqiptare
Zëvendësministri i Ekonomisë, Leonard Beqiri i kërkoi dje ILDKP të hetojë pasurinë e Ramës, si dhe i kujtoi këtij të fundit të deklarohet nëse ka konsumuar apo jo lëndë narkotike
Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Leonard Beqiri, u shpreh dje gjatë një konference për shtyp se Edi Rama duke shpifur për të tjerët nuk mund të fshehë se kush është vetë. Nisur nga debati i ashpër i ditëve të fundit ndërmjet Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, zëvendësministri i Ekonomisë i kërkon ILDKP-së që të hetojë pasuritë e Ramës si dhe i bën thirrje këtij të fundit t’i nënshtrohet testeve të drogës.
“Ditët e fundit ka pasur shpifje nga më të ndryshmet në emër të nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Dëshiroj edhe njëherë t’i kthej përgjigje politikës së Edi Rama “shpif, shpif se diçka do të mbetet”, tashmë e kuptuar nga të gjithë shqiptarët. Shpifjet vazhdojnë edhe sot nga zëri i Edi Ramës.
“Ministri Dritan Prifti i ka kërkuar Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të hetojë urgjent pasurinë e tij dhe të informojë publikun në lidhje me të vërtetën. Gjithashtu, i ka kërkuar atij që të bëjë analizat që vërtetojnë nëse ai ka përdorur ndonjëherë lëndë narkotike apo jo. I kërkojmë sërish Edi Rama që të kryejë këto analiza, në një klinikë të zgjedhur nga vetë ai. Me shpifjen kundër të tjerëve Edi Rama nuk mund të fshehë se kush është vetë. Shqiptarët nuk e besojnë që Rama është i pastrehë. Shqiptarët nuk e besojnë që Edi Rama nuk ka shtëpi. Shqiptarët nuk e besojnë që zoti Rama ka kursime vetëm tre mijë euro. Shqiptarët dyshojnë rëndë tek sinqeriteti i kryetarit të opozitës. Pse nuk del Edi Rama dhe të deklarojë me gojën e tij nëse është person që ka konsumuar lëndë narkotike? Pse fshihet Edi Rama pas shpifjeve? Populli shqiptar pret të dëgjojë liderin e opozitës të flasë me gojën e tij”, u shpreh zëvendësministri i Ekonomisë, Leonard Beqiri.
Ai vijoi më tej, se kryetari i socialistëve duhet të japë dorëheqje nëse ka përdorur lëndë narkotike. “Kësaj pyetjeje nuk mund t’i shmanget për kohë të gjatë. Populli ka të drejtë të dëgjojë. Populli pret një përgjigje. Populli nuk mund t’i besojë një personi që emocionet e veta kërkon t’i kontrollojë duke përdorur lëndë të palejueshme, lëndë narkotike, konkretisht kokainë. Rinia shqiptare nuk mund të shohë Edi Rama si një model për të ndjekur atë. Populli shqiptar, prindërit, nënat, kanë të drejtë që të mos ia besojnë fëmijët e tyre dhe të ardhmen e tyre një lideri të opozitës që është gjithmonë nën kontrollin e lëndëve narkotike. Nuk mund të shohin Edi Ramën si një njeri, të cilin mund ta marrë shembull çdo shqiptar, çdo fëmijë, çdo qytetar i këtij vendi. Dhe njëherë Edi Rama përgjigjuni me gojën tuaj: A jeni përdorues i lëndëve narkotike?”, përfundoi deklaratën e tij për shtyp, zëvendësministri, Beqiri.