Haradinaj: Jam ofruar që t’ia nisim punës menjëherë

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, të shtunën e ka shfrytëzuar për t’u takuar me anëtarësinë e Degës së AAK-së në Ferizaj, si dhe me qytetarë ferizajas. Gjatë takimit, Haradinaj është kujdesur t’iu shmanget deklarimeve politike dhe më shumë ka mbajtur një fjalë moraliste se si duhet nisur punën për të mirën e Kosovës.
Ai për asnjë rast nuk ka folur për kthimin e tij eventual në krye të qeverisë, por vetëm ka shprehur gatishmërinë që të jetë në dispozicion për t’iu përveshur punës. Fjalën e tij ai e ka nisur me fakte se gjatë historisë kemi pasur burra të mençëm që na kanë treguar çka është mirë e çka është keq, por, sipas tij, më shumë është e rëndësishme si t’i bëjmë punët. “Duhet t’i bëjmë punët, detyrat që i kemi pranë, që na presin, që duhet m’i krye, e jo të shikojmë se kush bën më mirë e të mbesim në pritje, të vendnumërojmë”.
“Unë jam ofruar që t’ia nisim menjëherë, të mos vonohemi, ta zëmë hapim, kemi humbur shumë mundësi, të mos lejojmë më, të mos ecim pas vështirësive, por t’iu prijmë punëve tona”, ka thënë ai.
Haradinaj më pas është ndalë tek qasja institucionale e marrëdhënieve me miqtë. “T’ua lehtësojmë miqve që duan t’na ndihmojnë, Kosova e ka deklaruar rrugën e vet evropiane, integrimin evropian të gjithë e dëshirojmë por duhet ta bëjmë atë”, ka thënë ai, duke vlerësuar se lidhja me SHBA-në “na bën nder, sepse i takojmë një krahu të botës që ka dhënë nivelin më të lartë të zhvillimit të demokracisë dhe zhvillimit ekonomik”. Për dallimet eventuale politike ai ka pohuar: “Ne mendojmë ndryshe, mund të bëjmë debate, pro duhet t’i shikojmë interesat e vendit”.
Gjatë qëndrimit në Ferizaj, Haradinaj ka vendosur lule në përmendoret e dëshmorëve ferizajas.