Haradinaj: Kryeministër? Gati të kandidoj vitin tjetër
Ish-shefi i Ushtrisë Çlirimtare, lider i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kritikon qeverinë e Hashim Thacit për diplomaci të dobët në lidhje me procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” tre vjet pasi la postin e shefit të qeverisë, për t'u dorëzuar në Gjykatën e Hagës nën akuzën për krime lufte, Ramush Haradinaj thotë se është i gatshëm t'i kthehet pushtetit.
TIRANE-Kryeministër sërish? Po patjetër! Ra mush Haradinaj është i bindur kur e thotë këtë. Tre vjet pasi la postin e shefit të qeverisë, për t'u dorëzuar në Gjykatën e Hagës nën akuzën për krime lufte, luftëtari i kthyer në politikan nuk e fsheh aspak ambicien për t'iu kthyer pushtetit. Aty ku e la. Një rrugë si ajo e tij nuk është aspak e parashikueshme. Shef i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lider i partisë opozitare që lindi nga "hiri" i kësaj ushtrie, kryeministër nga një pakt me presidentin Ibrahim Rugova pas zgjedhjeve të vitit 2004, më pas dorëheqja për t'u dorëzuar në Hagë, i akuzuar për krime lufte. Rikthimi i tij në politikë ishte i pritshëm, në një rastësi të çuditshme menjëherë pas pavarësisë së saj në shkurt, por gati-gati i dëshiruar edhe nga Perëndimi, që ende sheh te ai një lider të vullnetshëm për Kosovën e re.
Në një intervistë ekskluzive për “Gazetën Shqiptare”, ai analizon situatën në Kosovë si dhe planet për të ardhmen në politikë.
Jeni rikthyer prej disa muajsh në politikën kosovare. E shihni atë të ndryshuar, më konfliktuale?
Politika kosovare është në një dinamikë të zakonshme aktualisht. Por situata është e ndjeshme, sepse ne ndodhemi aktualisht ne procese të ndjeshme në vend dhe në bazë të asaj si i ushtrojmë proceset tona të gjithë, do të vërehen edhe rezultatet. Unë po bëj përpjekje për të kryer pjesën time të punës, jam kryetari i një partie opozitare dhe po bëj maksimumin që të jap kontributin tim në këtë drejtim. Politika duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe duhet thënë se Kosova është një demokraci e re. Ne kemi mësuar nga proceset zgjedhore. Ka qenë një sfidë e vështirë për ne, por Kosova e ka kaluar me sukses. Unë kam përvojën time në procesin zgjedhor të vitit 2000. Ishte një sfidë e vështirë, sepse kishte të bënte me marrjen e përgjegjësive reale dhe gjykimin, jo nga ajo që kishte ndodhur deri në atë ditë, por nga ajo që do të ndodhte në ditët në vazhdim. Zgjedhjet u shpallën të mira dhe në këtë mënyrë ne arritëm të krijonim politikën nga njerëzit që bënë luftën në Kosovë.
Në Kosovë ka hyrë në fuqi kushtetuta që i jep autoritetet institucioneve të shtetit të ri, por UNMIK nuk është tërhequr, ndërsa EULEX pritet të shtrijë funksionin në të gjithë vendin.
Si do të gjejë balancën Kosova në mes të dy autoriteteve të tilla dhe vetëqeverisjes?
Lidhur me konfliktin UNMIK-EULEX, mund të them se instancat ndërkombëtare janë në procesin e ndarjes së kompetencave të tyre, ato po analizojnë punën aktuale dhe po e formësojnë monitorimin, mbikëqyrjen e Kosovës në një proces të posaçëm që do të vijë pas udhëheqjes së UNMIK-ut në Kosovë. Deri në momentin e saktësimit të detajeve, do të shohim se si do të ndahen kompetencat mes tyre.
Si është situata e serbëve në veriun e Kosovës?
Po ishte një kënaqësi që serbët nuk e përjetuan në mënyrë tragjike shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ishte një kënaqësi që nuk pati një provokim të posaçëm ndaj tyre. Por periudha e tanishme është mjaft delikate dhe serbët vetë janë në pritje të qeverisë së re të Beogradit, këshillave të saj dhe qëndrimit të saj për një sërë çështjesh lidhur me jetesën e tyre në Kosovë. Mendohet se kjo qeveri e re në Beograd do të jetë më e kujdesshme. Kjo s'do të thotë se nuk ka serbë që nuk janë angazhuar në institucionet e Kosovës. Janë dy qeveri në duart e tyre dhe kanë shumë dikastere në të cilat ata punojnë bashkë me kosovarët, ndërsa ata janë të angazhuar edhe në nivel komunal. Sidoqoftë, ende ka mundësi që Kosova të gjejë zgjidhjen e duhur për Veriun dhe në këtë mënyrë së bashku qytetarët e Kosovës edhe pakica serbe, të ndërtojnë një jetë në përputhje me vlerat që janë përcaktuar. Ajo që kam propozuar unë, një hap më tej planit Ahtisaari. Një plan-veprim i përcaktuar deri në detaj për të integruar serbët e Kosovës në drejtimin dhe zhvillimin e saj. Natyrisht, një plan i veçantë duhet hartuar për Veriun, ku jetojnë shumica e serbëve. Por e rëndësishme është që ky plan të zbatohet dhe të angazhohen liderët serbë për ta bërë realitet atë.
Si ju duket qeverisja aktuale e Kosovës?
Unë po përpiqem të monitoroj punën e qeverisë, duke vlerësuar momentet pozitive dhe negative te saj, për të kuptuar nëse ato janë në përputhje me zhvillimet, ato që kërkohen nga komuniteti ndërkombëtar. Unë jam shprehur lidhur me një sërë prej temave, si procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës, situata në veriun e Kosovës si dhe cilësisë së qeverisë, për të cilën unë mendoj se nuk është e mirë.
Mediat flasin për një konflikt të heshtur me kryeministrin Thaçi. A jeni takuar me të?
Jo, nuk jam takuar, nuk kam pasur rast për t'u takuar me kryeministrin Thaçi, por unë po bëj përpjekjen e mia ne këtë drejtim.
Kosova është njohur deri tani nga shumë vende, si ju duket se po ecën ky proces?
Ne në fakt deri më tani kemi konstatuar se kemi marrë besimin e disa vendeve të cilat e njohin Kosovën dhe besojnë në Kosovë. Ne kërkojmë një ndihmë nga të gjitha vendet, që së bashku të sqarojmë dhe të shpjegojmë rastin e Kosovës edhe tek vendet e tjera për të marrë besimin. Pra, e ruajmë besimin në vetvete dhe në proceset që i kemi para vetes. Por për të marrë njohje dhe përkrahje të vendeve, kërkohet një diplomaci aktive dhe një mobilizim yni në këtë drejtim, gjë që nuk ka ndodhur deri tani. Edhe procesi i njohjes po vonohet, për shkak të diplomacisë së dobët.
Do të kandidoni sërish për postin e kryeministrit?
Por, vitin që vjen ne jemi të gatshëm për zgjedhje dhe unë do të kandidoj sërish për postin e kryeministrit.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)