E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Unë e ftoj Ilirin, por PS do jetë lokomotiva

Kryetari i PS-së, Edi Rama shpjegoi mbrëmë në një intervistë për News 24 në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, qëllimin se përse ai ka ftuar në një tryezë sot të gjithë krerët e së majtës për të diskutuar mbi sigurinë. Ai zbuloi se kishte ftuar edhe PBDNJ-në në këtë takim. 

TIRANE- Kryetari i PS-së, Edi Rama shpjegoi mbrëmë në një intervistë për Neës 24 në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, qëllimin se përse ai ka ftuar në një tryezë sot të gjithë krerët e së majtës për të diskutuar mbi sigurinë. Ai zbuloi se kishte ftuar edhe PBDNJ-në në këtë takim.
Zoti Rama, çfarë ka ndryshuar në politikën shqiptare tragjedia e Gërdecit?
Tragjedia e Gërdecit ka nxjerrë në pah kalbëzimin e këtij pushteti, i cili sot pasi ka marrë nga shqiptarët votën për të luftuar korrupsionin, e ka nxirë njollën e korrupsionit në sytë e partnerëve tanë ndërkombëtarë, që në raportet e specializuara e shkruajnë se qysh nga viti 2005 Shqipëria është dy herë më e korruptuar. Pra, kur themi Shqipëria, themi pushteti i sotëm në Shqipëri, qeverisja e sotme shqiptare. Nga ana tjetër, tragjedia e Gërdecit ka treguar në të gjithë përmasën e vet, përveç korrupsionit edhe krizën e rëndë të shtetit shqiptar, i cili vazhdon të lëngojë në një tranzicion të stërzgjatur, i cili vazhdon të jetë një mekanizëm që funksionon në një mënyrë të çoroditur, që nuk arrin dot t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve duke nisur nga nevoja për siguri. Gërdeci tregon se sa poshtë ka rënë çmimi i jetës në Shqipëri. Gërdeci po ashtu ka treguar edhe se sa shumë ne kemi nevojë për t’i dhënë politikës një përmasë vetëdijeje kombëtare, një përmasë përgjegjshmërie për interesa që janë më të mëdha se interesat e palëve, që janë shumë e shumë herë më të mëdha se interesa grupesh apo personash. E në këtë sens, post-tragjedia ka treguar hipokrizinë e qeverisë dhe të Kryeministrit që këtë masakër, ku humbën jetën 26 njerëz, ku u dëmtuan me qindra familje, ku u rrafshuan shtëpi e prona, e trajtuan në mënyrën më jodinjitoze dhe nga ana tjetër, ka treguar se sa e rëndësishme ka qenë përmasa qytetare që ne si forca lider në vend i kemi dhënë të gjithë procesit të trajtimit të tij, ashtu sikundër ka treguar sa e madhe është sfida e drejtësisë përballë një ngjarjeje që duhet zbardhur me çdo kusht e që kërkon pavarësi, profesionalizëm, kurajë. Te Gërdeci janë mbledhur të gjitha ankthet dhe sfidat e Shqipërisë dhe shqiptarëve në këtë periudhë të vështirë, por edhe shumë të rëndësishme të procesit të integrimit drejt familjes evropiane në NATO e në BE.
Berisha ju akuzoi se me vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka ju kërkuat të nxirrnit kapital politik...
Fola për përmasën qytetare që forca politike që unë drejtoj, që është sot forca më e madhe politike në Shqipëri dhe që nesër ajo që do të udhëheqë Shqipërinë, i dha politikës duke mos e kthyer tragjedinë në një argument për përfitime partiake të ditës, duke mos e kthyer tragjedinë në një instrument për të ushqyer dëshpërimin, pasigurinë dhe mbi të gjitha, për të ushqyer edhe atë uri të politikës së vjetër të konfliktit dhe të mbivendosjes së debatit të ditës mbi institucionet dhe mbi ligjin. Ne nuk bëmë politikën e hienave mbi kufomat e viktimave të Gërdecit dhe nuk u rrekëm të nxjerrim si varrmihës të natës nga krateri i vdekjes dhe i dëshpërimit, përfitime të ditës së nesërme. Ne, me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri ja lamë fjalën drejtësisë. Është hera e parë që në Shqipërinë e këtyre 17 vjetëve, ku ka pasur edhe tragjedi e trauma të tjera, opozita ja lë fjalën drejtësisë. Është hera e parë që drejtësia është e qetë, së paku nga trysnia politike e opozitës. Është hera e parë që një tragjedi e tillë kombëtare, familjare, personale është trajtuar jo si një mundësi për të rritur aty për aty kreditë politike, por si një çështje e madhe që duhet zbardhur në interes të të gjithëve, si një çështje ku mund të vihet guri i themelit për një Shqipëri, ku politika bën punën e saj dhe drejtësia të sajën dhe ku politika nuk e dikton drejtësinë.
Ka zëra që thonë se qëndrimi juaj i ka shërbyer Berishës për të zvarritur hetimet për Gërdecin...
Këto zëra janë në atë kuadër, në kuadrin e politikës së shkuar, në kuadrin e nxjerrjes së përfitimeve klanore, partiake personale politike të ditës, duke spekuluar me ndjenjat e njerëzve. Ndërkohë që ne kemi bërë atë që thashë dhe të tjerët bëjnë atë që kanë bërë e po bëjnë. Ajo çka mbetet, është nevoja e të gjithëve për të vërtetën. Secili prej nesh ka të vërtetat e tij. Në një shtet ku askush nuk duhet të ndjehet i pasigurt, janë institucionet kushtetuese që e kanë të drejtën e detyrën të thonë atë të drejtë, e cila pasi gjykohet nga ata, merr formën përfundimtare duke i çuar ose jo fajtorët para drejtësisë, aty ku ata meritojnë të shkojnë. Nuk ka asnjë dyshim që përgjegjësia e drejtpërdrejt, politike dhe morale është e Sali Berishës, e të gjithë atyre ministrave e drejtues të tjerë të pushtetit të tij, që janë përfshirë dhe që janë sot prapa hekurave ose që duhet të shkojnë prapa hekurave, sepse ende janë të lirë. Në këtë sens duhet të kuptojmë se çdo lloj insinuate, çdo lloj akuze në adresë të PS-së, është thjesht dhe vetëm përpjekje e vogël në hullinë e politikës së vjetër, për të nxjerrë atë përfitimin e vogël, për t’u dukur, për të ngjarë më i madh në ekranin e vogël të televizorit.
Keni thirrur kryetarët e partive të opozitës. Ky takim do të jetë vetëm për manifestimin, apo keni një platformë për të rigrupuar gjithë opozitën, që është krisur?
Unë kam thirrur për një diskutim për sigurinë dhe drejtësinë dhe mbi nevojën e një qëndrimi të përbashkët, një sërë forcash politike që nuk do i përkufizoja thjesht të opozitës, që duhet të marrin përgjegjësi dhe me shpresën se të gjithë së bashku, duke u ngritur mbi interesat e pjesshme dhe mbi debatin e ditës për këto interesa të pjesshme apo ambicie personale, të mund të artikulojmë një qëndrim e politikë shumë të qartë në raport me domosdoshmërinë e ndarjes së politikës nga drejtësia, në raport me domosdoshmërinë për të mos lejuar që organi i akuzës të vazhdojë të lëkundet nën presionet e dukshme dhe të padukshme të pushtetit politik në Shqipëri. Kjo është arsyeja e ftesës sime dhe jam shpresëplotë qe e kanë kuptuar edhe e ndiejnë njësoj si unë këtë nevojë të njerëzve.
A keni ftuar edhe të djathtë?
Kam ftuar edhe PBDNJ-në.
Keni marrë konfirmime?
Nuk kemi marrë, sepse nuk kemi kërkuar konfirmime.
Çfarë mund të jetë produkt i kësaj tryeze?
Ne kemi objektivat dhe idetë tona. Do t’i konsultojmë me të tjerët dhe do të synojmë që të arrijmë në një qëndrim të përbashkët për çështjet e sigurisë.
Letra për Metën, ka qenë një lëvizje taktike për të treguar se bëre një përpjekje të fundit, në mënyrë që t’i ngelet faji LSI-së apo thjesht këmbëngul që LSI-ja të jetë pjesë e koalicionit?
Këtu flasim për çështje shumë madhore, për një vend shumë të tronditur, për ngjarje që kanë krijuar pasigurinë për jetën që kanë krijuar pasigurinë te shteti dhe nuk duhet të ulemi në nivelin e politikës së taktikave të vogla apo gërrmërrit tradicional, që nuk më motivon të merrem me politikë.
Në zgjedhjet e ardhshme LSI-ja do të mbetet jashtë gardhit të koalicionit tuaj?
Dera jonë është e hapur për të gjithë dhe padyshim, është e hapur edhe për mikun Ilir Meta, por e thashë ne jemi lokomotiva për të gjithë shqiptarët dhe nuk kemi asnjë mundësi për të qëndruar në vend. Ne do ecim në rrugën tonë dhe do mirëpresim gjithkënd që është i gatshëm që të bashkërendojmë punët e mëdha për ndërtimin e një shteti modern shqiptar, për një transformim real dhe për një kurim sistematik të këtyre plagëve që janë kthyer në gangrenë. Nuk është problemi ynë, është i tyre, në rast se ata do të zgjedhin një rrugë tjetër, por nga ana tjetër nuk ka asnjë dyshim se rruga tjetër do të ishte rruga e ushqimit të rrugës së fundit për Sali Berishën. Zgjedhjet e 2009 ne do t’i fitojmë bashkë me shqiptarët që duan ndryshimin.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›