Nishani: Përjashtohet vrasja e Trebickës
TIRANE- Ministri i Brendshëm, Bujari Nishani deklaroi dje gjatë një interviste në emisionin "5 pyetje nga Babaramo" në NEWS24, se Kosta Trebicka ka shumë mundësi që të ketë pësuar një aksident dhe jo të jetë vrarë, siç është ngritur dyshimi kohët e fundit.
Zoti Ministër, do të doja që intervistën ta hapnim me misterin e vdekjes së biznesmenit Kosta Trebicka. Kur do jepen konkluzionet përfundimtare?
Është një rezultat që është kompetencë e drejtpërdrejtë e prokurorisë, pasi është ajo që e udhëheq hetimin prokuroria. Është një ekip hetimi dhe brenda këtij numri ka një numër oficerësh të policisë gjyqësore nga Policia e Shtetit, por të gjitha aktet i referohen dosjes së ngjarjes dhe të drejtën ekskluzive ligjore për to e ka organi i prokurorisë. Besoj se është i njohur fakti se ngjarja po hetohet nga grupi që drejtohet nga prokurori i rrethit të Korçës.
Po policia nuk është në gjendje të japë një konkluzion?
Nuk është kompetencë e saj e drejtpërdrejtë për dhënien e konkluzioneve paraprake apo përfundimtare. Ajo që unë nisa është që prokuroria ka për të dhënë konkluzionin përfundimtar, por deri më tash janë një numër aktesh që kanë përjashtuar që kemi të bëjmë për rrethana të paqarta.
Çfarë nënkuptoni me rrethana të paqarta?
Nuk ka shenja dhune nga jashtë. Nuk ka plagë me armë zjarri. Nuk ka goditje me mjete të forta. Nuk ka gjurmë personash të tjera në sendet personale apo në trupin e viktimës. Nuk ka të dhëna që ka qenë në shoqërinë e një personi tjetër. Uji dhe lëngjet që kishte, nuk kishte gjurmë të lëndëve të tjera. Saçmat janë ato të gjetura dhe në trupin e shpezëve të vrara. Është vërtetuar se është qitur nga arma e çiftes. Ekspertiza e Mjekësisë Ligjore ka konkluduar se ka pasur këputje të rruazave të qafës, trauma dhe shtypje në gjoks, dëmtim dhe jo çarje mbi vesh, ku është gjetur copë e stukos së makinës. Rezultatet janë të institutit të Mjekësisë ligjore dhe të 4 ekspertëve, dy të Institutit të Policisë Shkencore, një ekspert i Prokurorisë së Korçës dhe një ekspert i gjyqësorit. Dhe të gjithë këta bashkërisht kanë rënë dakord se këto shenja të viktimës janë të ngjashme me ato të aksidenteve rrugore.
Politrauma do të thotë shumë plagë, por çfarë lloje plagësh, a e përcakton?
Politraumat duke llogaritur shenjat e tjera, janë analizuar dhe mjekësia ligjore ka nxjerrë dy akte ekspertimi që sipas saj janë të ngjashme me aksidentet. Ne përditë kemi aksidente, vrasje etj dhe ka tashmë përvojë dhe klasifikimet e llojeve të plagës. Pasi një plagë e shkaktuar nga plumbi nuk mund të thuash që janë plagë aksidentesh, sië janë edhe plagët e aksidenteve.
Po dinamikën e ngjarjes, çfarë ka ndodhur?
Dinamikën e ngjarjes presim kur të kemi edhe pjesën e ekspertimit autoteknik. Është ekspertimi i caktuar enkas të kryhej më pas dhe me arsye. Që me kërkesën e prokurorisë për t'i dhënë rëndësinë e duhur të merrnin pjesë ekspertë të huaj që kanë ardhur së bashku me ekspertë të pavarur, të zgjedhur nga prokuroria kanë kryer ekspertimin autoteknik. Besoj, me përfundimin e ekspertimin e plotë si dhe për ekspertime të tjera që duan kohë, pasi kanë kohën e tyre të mbjelljes. Unë nuk jam mjek t'i shpjegoj shkencërisht këto, por duke pritur 2-3 ekspertizat e fundit mjeko-ligjore, besoj se prokuroria do të bëjë analizën e dosjes dhe akteve e do dalë në konkluzionet përfundimtare.
A mund të thoni tani pas dy javësh, çfarë ka ndodhur?
Natyrisht askush nuk mund të thotë, as ti as unë, pa dalë gjithë provat, por ato 80 për qind të provave deri tani e kanë përjashtuar elementin e vrasjes.
Cilat janë elementët që e përjashtojnë?
Po i rikthehemi dhe një herë dhe t'i rendisim. Janë kryer 8 akte nga policia shkencore. E para është vërtetuar që në trupin e viktimës nuk janë gjetur shenja dhune nga jashtë. Nuk ka plagë të marrë nga arma apo mjete të tjera të treta. Nuk janë gjetur gjurmë të personave të tjerë në trupin e viktimës apo në sende të tjera.
Nuk ka elementë të tretë te uji apo pijet e përdoruara nga viktima. Arma ka kryer qitje për gjueti, dhe fishekët janë të njëjtë me ato në dhomën e viktimës që kishte lënë për ditën tjetër. Në plagën e veshit janë gjetur stuko të makinës.
Pse nuk kishte gjurmë gjaku në makinë?
Le të shohim raportin autoteknik, ata që kanë ekspertizuar makinën, do të shpjegojnë të gjitha dyshimet me faktet e makinës. Ka dy gjëra, dyshimi me spekulimin, që janë krejt të ndryshme dhe për mua si qytetar dhe titullar i institucionit që drejtoj, duhen zbardhur të gjitha dyshimet, por për spekulimin nuk kemi çfarë t'i bëjmë.
Si ka ndodhur që makina është shkëputur 40 metra nga trupi?
Është shpjeguar nga mjekësia ligjore, mënyra dhe pozicioni i trupit janë sqaruar. Kurse makina, sa ka ecur, sa herë është batuar etj, i përkasin raportit autoteknik dhe ekspertimit të skemës së aksidentit. Janë gjetur copa gjaku pranë trupit dhe janë të njëjta me ato ku është bërë batimi dhe ato të makinës. Prokuroria vendosi ekspertë të huaj përveç sensibilitetit edhe për të pasur një përfaqësues të pavarur në hetim.
Prokuroria ju shmangu juve?
Ekspertimin autoteknik e bën një ekspert i pavarur, i marrë nga policia. Policia rrugore bën matjet e saj, por ekspertimi autoteknik merret gjithnjë nga prokuroia.
Policia rrugore nuk ka një raport?
Nuk e bën policia rrugore eksperimentin autoteknik, në çdo rast shqiptar apo të huaj. Në këtë rast vendosëm që veç shqiptarëve të marrim dhe të huaj. Ekspertin e huaj e kemi ndjekur dhe nga mediat që ka kryer ekspertizën, dhe tani presim rezultatin.
Me çfarë shpejtësie ishte?
Unë nuk kam parë asnjë akt për shpejtësinë, drejtimin, kthesën reagimin, etj pritet të vijnë.
(s.g/GazetaShqiptare/Balkanweb)