E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nazif Muharremi: Nuk e mendoja kurrë të isha aktor

Nga Oliverta Lila
 

TIRANE- Nazif Muharremi, djali nga Shkupi ishte vetëm 15 vjeç kur provoi të merrte një rol në film. I dhënë pas muzikës, ai nuk e kishte menduar kurrë të bëhej aktor. Por përveç rolit, atij i vjen edhe një çmim i parë. Juria e Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit që u mbajt në Durrës e vlerësoi me çmimin special për interpretimin e Mirushit. Është tepër i emocionuar, ndërsa në duar mban statujën e gladiatorit të artë dhe pret urimet. Ndonëse sapo është futur në botën e kinemasë, Muharremi, i cili studion në vitin e tretë në një nga gjimnazet e Shkupit shprehet i sigurt se do të studiojë për aktor. Pas ceremonisë kujton se iu duk një ëndërr kur mori për herë të parë skenarin në duar, e më pas të shkonte në sheshin e xhirimit. Regjisori norvegjez, Marius Holst ka fokusuar historinë e një djali kosovar, i cili niset në kërkim të të atit në Norvegji. Ai e ka braktisur familjen kur ishte shumë i ri dhe tani menaxhon një restorant në Oslo, por njëkohësisht është i implikuar me mafien. Mirush nis punë në lokalin e tij, pa i treguar se është i biri, por do të detyrohet nga rrethanat të bëjë zgjedhje të vështira.
Keni marrë çmimin special të jurisë për interpretimin e rolit të Mirushit. E prisnit këtë vlerësim dhe si ndjeheni?
Ky është çmimi i parë për mua dhe është një kënaqësi që arrita ta merrja. Ndjehem me të vërtetë shumë mirë dhe uroj që festivali të ketë sukses edhe në të ardhmen.
Do të jetë një shtysë për të vazhduar më tej në rrugën e aktrimit?
Sigurisht, ky çmim më bën të mendoj seriozisht që të futem në botën e aktrimit dhe ta shoh si profesionin tim në të ardhmen.
Si ndodhi që re në kontakt me këtë film. Kush të shtyu ta provosh?
Norvegjezët kërkuan një djalosh që të luante rolin e Mirushit. Isha 15 vjeç kur mora pjesë në kinoprovat konkurruese mbi rolin e Mirushit në Shkup. Brenda pak ditësh, pasi kalova edhe në sitën e regjisorit Holst, hyra në lëkurën e personazhit tim të parë në kinematografi. Një aktor nga Shkupi dhe një producent nga Amerika ishin ata që më shtynë të shkoja në prova e më dhanë zemër të provoj të aktroj, Gjej rastin t'i falenderoj.
E kishe menduar më parë të bëheshe aktor?
Asnjëherë nuk e kisha menduar të bëhesha aktor e për më tepër nuk do ta kisha besuar se në fillimet e mia do të merrja një rol si ai i Mirushit. Unë e pëlqej shumë muzikën dhe ajo që dëshiroja ishte të hyja në botën e saj. Tani që provova të aktroj, dua ta vazhdoj këtë rrugë edhe duke studiuar. Ndërsa muzikën ndoshta do ta luaj për pasion.
Nuk kishe provuar më parë asnjë eksperiencë kinematografike. Si reagove kur more skenarin për ta lexuar?
Mu duk si një ëndërr. Nuk e kisha menduar kurrë në jetë. Dy tri ditët e para kisha shumë emocione. Pastaj u ambientova dhe gjatë xhirimeve jam ndjerë më mirë.
Po përvoja e shesh-xhirimit, si ishte?
Fillimi ka qenë shumë i vështirë. Nuk kisha provuar as ndonjë pjesë në teatër që të mund të më ndihmonte. Por pastaj shkoi mirë. Pjesa më e madhe e xhirimeve janë realizuar në Oslo, ndërsa skenat e fundit në Maqedoni. Në sheshin e xhirimeve punonte një grup i madh dhe për afro 3 muaj kishte përfunduar gjithçka.
Historia e Mirushit është e dhimbshme. Ke njohur më parë ndonjë personazh të tillë apo ke dëgjuar histori të përafërt?
Besoj se ngjarje të tilla kanë prekur një pjesë të mirë të familjeve kosovare, por unë nuk kam njohur më parë një personazh të tillë.
Keni marrë ftesë për ndonjë rol të dytë?
Për momentin jam i lirë, por do të kisha dëshirë të vija për të interpretuar në Shqipëri.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›