E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj: Qeveria Thaçi ka defekte të mëdha

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se paralajmërimet për ndryshimet e reja në kabinetin qeveritar nga radhët e zëvendësministrave bëhen me qëllim të mbijetesës së Qeverisë Thaçi dhe jo përmirësimit të punës së ekzekutivit, i cili sipas tij ka humb besimin te populli.

Ai i bëri këto komente sot në një konferencë për media, pas takimit me drejtues të partive politike nga Lugina e Preshevës, me ç’rast adresoi edhe një herë kritika ndaj Qeverisë së Kosovës se ka dështuar në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Ndryshimet bëhen me qëllim të mbijetesës së qeverisë dhe nuk e kanë kuptimin e përmirësimin e gjendjes në sferat e jetës ose në cilësinë e qeverisjes, e cila definitivisht është vlerësuar si e dobët, dhe ka defekte të mëdha si korrupsionin”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, ndryshimet e reja në kabinetin qeveritar nuk do të sjellin ndryshime në kualitetin e jetës së qytetarëve, por ato bëhen për të ruajtur një pajtueshmëri brenda kabinetit qeveritar, i cili siç u shpreh Haradinaj, ka humbur besimin e popullit.

Për më tepër, kreu i AAK-së ka kritikuar qeverinë për mos transparencë me rastin e dhënies së tenderit kompanisë “Bechtel & Enka” për ndërtimin e autostradës në pjesën që i takon Kosovës, duke thënë se në lidhje me këtë çështje nuk janë ofruar informacione elementare. (KosovaPress)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›