E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj: “Qeveria e Kosovës, pa vizion”



Lideri i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka drejtuar sërish kritika në drejtim të qeverisë aktuale për mungesë vizioni përsa i përket zgjidhjes së problemeve dhe daljes nga situata aktuale politike, pas propozimit të planit gjashtëpikësh. “Kosova nuk është në gjendje të mirë. Kemi politika qeverisëse të cilat nuk janë krijuese, por janë shpenzuese. Në vend kemi një mirëmbajtje qeverisëse. Nuk kemi politika, të cilat kanë vizion se si duhet të zhvillohen me sukses”, - tha Haradinaj në Kuvendin V Zgjedhor të Aleancës së Gruas së Kosovës. Haradinaj shtoi se aktualisht në Kosovë nuk ka politika që kanë zgjidhur probleme dhe që japin plan të qartë se si duhet të përmbyllet faza tranzitore por edhe për punën e misioneve ndërkombëtare, siç është në këtë rast EULEX-i. Sipas Haradinajt, qeverisja aktuale ndër të tjera nuk ka politika për integrimin e pakicave, në veçanti pakicat serbe, si dhe nuk ka politika të qarta se si të krijohen vlera të reja ekonomike në vend.

23 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›