E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeremiç kritikohet nga diplomatët europianë



Diplomatët e disa vendeve europiane kanë kritikuar sjelljen e ministrit të jashtëm serb Vuk Jeremiç si të pahijshme. Lajmi u bë i ditur nga gazeta “Dnevnik" e Vojvodinës, që publikoi dje një dokument europian të formuluar rishtazi, ku diplomatët e bllokut kanë kritikuar sjelljen e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç. E përditshmja thekson se zyrtarët janë shprehur se herët ose vonë Serbia do të jetë anëtare e BE-së, megjithatë shumë vende anëtare kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për “shpërthimet” e fundit të Jeremiçit. “Jeremiç po krijon një atmosferë, ku, çfarëdo që bën BE-ja për Serbinë, kurrë nuk mjafton. Duke vepruar kështu, ai po tenton të fajësojë BE-në për dështimet e qeverisë së tij”, - thonë diplomatët gjermanë. Edhe diplomatët britanikë i kanë kritikuar deklaratat e Jeremiçit, duke thënë se ata janë të përkushtuar për stabilitetin e rajonit.

Maqedoni, PDSH-ja aktualizon çështjen e gjuhës

Partia Demokratike Shqiptare së shpejti do të riaktualizojë çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, pas miratimit të një ligji nga shumica aktuale në parlament. Nisma e partisë më të madhe opozitare shqiptare vjen pas rekomandimeve dhe konkluzioneve të Komitetit për Mbikëqyrje të Këshillit të Europës se pozita duhet t’i mundësojë opozitës që të veprojë për avancimin e zgjidhjeve në ligjin për përdorimin e gjuhëve. Tani, PDSH-ja do të kërkojë që gjuha shqipe të jetë zyrtare në të gjitha nivelet e shtetit. Komiteti i Këshillit të Europës ka bërë shumë vërejtje për shkak të miratimit të ligjit të gjuhëve në procedurë të përshpejtuar duke sugjeruar se duhet t’i mundësohet opozitës që të propozojë amendamente për ligjin e gjuhës. ”PDSH-ja akuzoi se ligji për përdorimin e gjuhës nuk i plotëson të gjitha interesat e shqiptarëve. Në këtë kontekst nuk mund të ndihmojë. Por i bëj thirrje koalicionit të shumicës që t’i mundësojë opozitës amendamente në frymën e pluralizmit demokratik”,- tha raportuesi i KE-së, Serhij Holvati. “Ne do të vendosim së shpejti se kur do të dorëzojmë propozim-ligjin tonë, që tashmë është punuar. Me raportin e KE-së bien në ujë pohimet e BDI-së se me ligjin për gjuhën është bërë arritja më e madhe e koalicionit gjatë 100 ditëve të qeverisjes”, - u shpreh sekretari i Përgjithshëm i PDSH-së, Imer Aliu.

23 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›