E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj po kthehet faqebardhë

Kanë mbetur edhe pak ditë deri te shpallja e aktgjykimit ndaj ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, i cili për shumë vite u përball me gjykatën ndërkombëtare të Hagës, me akuzat për krime lufte. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) thotë se lideri i saj do të kthehet faqebardhë, i pastër, i lirë dhe i palëkundur në vizionin e tij për Kosovën e konsoliduar drejt integrimeve në NATO dhe BE.

Burim Ramadani, Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së dhe deputet në Kuvendin e Kosovës, bazuar në pikëpamjet e tij për këtë proces të dytë në Tribunalin e Hagës, thotë se kryeministri Haradinaj është dëshmuar që është i pastër ndaj secilës pikë të akuzës, sikurse është i pastër në tërë luftën e tij legjendare në vitet e luftës.

“Prandaj, nuk kam asnjë dilemë se epilogu do të jetë pozitiv dhe si i tillë do të jetë fundi i një torture të padrejtë ndaj Ramushit, familjes së tij, luftës çlirimtare, Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi”, ka thënë Ramadani në një bisedë për Indeksonline.

Aleanca është në pritje të përfundimit pozitiv të një procesi dhe ky proces është verdikti pozitiv për kryeministrin Haradinaj.

“Me këtë, ne besojmë se do të kemi fuqizim të skenës politike në vend dhe po ashtu fuqizim të alternativës zhvillimore të vendit. Prandaj, jam i bindur se Aleanca ka kapacitete të fuqishme për të marrë përgjegjësitë për të tashmen dhe për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së.

AAK është e bindur se prania e kryeministrit Haradinaj është motiv i madh për anëtarësinë, strukturat dhe udhëheqjen e subjektit politik për të bërë punë të pandalshme për të mirën e vendit dhe qytetarëve.

Ramadani thotë se angazhimi i deritashëm i të gjitha niveleve të Aleancës ka qenë i pashoq, duke pasur parasysh faktin se mungesa e vizionarit Haradinaj është kthyer në një pengesë tejet të madhe për aktivitetin tonë.

“Prandaj, shpreh respektin e thellë për të gjithë njerëzit e Aleancës që nuk janë ndalur asnjëherë, pavarësisht vështirësive tepër të mëdha që kemi pasur si në aspektin organizativ, po ashtu edhe në aspektet tjera”, thotë ai.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani ka folur edhe për dialogun Prishtinë-Beograd, ku ka deklaruar se alternativa më e mirë për të zgjidhur problemet e shumta me Serbinë është dialogu. Por, normalisht, dialogu me garancitë e nevojshme të fuqishme nga partnerët tanë perëndimorë, SHBA-të dhe vendet e zhvilluara të BE-së.

“Për secilën prej temave të mundshme të dialogut, Kosova i ka të gjitha argumentet që të del fituese, prandaj është e nevojshme një përgatitje e gjithanshme për të mbërritur caqet e Kosovës. Dhe, qëllimet e Kosovës duhet të jenë: zhbërja e strukturave ilegale të sigurisë, inteligjencës dhe drejtësisë së Serbisë, arritja e njohjeve nga pesë vendet e BE-së, anëtarësimi në OKB e deri te njohja reciproke me Serbinë”, ka pohuar Ramadani.

Aleanca beson se në këtë proces shtetëror, duhet të ketë përfshirje të të gjithë njerëzve që kanë dije, vullnet, gatishmëri dhe ekspertizë në mënyrë që vendi të mos rrezikojë asnjë dëmtim gjatë procesit.

“Për ne është e gabueshme nëse njerëzit që kanë njohuri dhe ekspertizë vendosin të qëndrojnë spektatorë apo vetëm komentatorë, sepse është momenti kur e gjitha mendja e Kosovës duhet të jetë bashkë për të arritur sukseset e pritura”, ka thënë ndër të tjera Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani.

Ndërsa sa i përket mos shtrirjes së ligjit në veriun e Kosovës, Ramadani thotë se, pas shpalljes së pavarësisë së vendit, ka munguar një qasje gjithëpërfshirëse për integrimin dhe normalizimin e situatës së rëndë në komunat veriore të Kosovës.

Ai thotë se Aleanca ka qenë e pandalshme në kërkesat e saj që institucionet e vendit të kenë një plan të tillë, i cili do të duhej të koordinohej me partnerët ndërkombëtarë. Sidoqoftë, tashmë kemi nevojë për një qasje sa më humane atje, duke përfshirë: 1) përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve që jetojnë në ato komuna, pra zhvillimin ekonomik; 2) sundimin e ligjit, respektivisht konsolidimin e sistemit të sigurisë së Kosovës; dhe 3) demokratizimin e shoqërisë në ato komuna të vendit, duke investuar në krijimin e lidershipit demokratik.

Ndër të tjera, Ramadani ka folur edhe për proceset e qeverisjes së brendshme dhe proceset shtetërore. “Janë disa procese me karakter shtetëror në të cilat Aleanca po jep angazhimin e vetë të plotë. 1) Procesi për liberalizimin e vizave. 2) Procesi i reformës zgjedhore. 3) Procesi i reformës Kushtetuese. Dhe 4) Procesi i dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë”, ka thënë ai.

Pra, në të gjitha këto procese, sipas tij, AAK nuk e sheh veten opozitë, duke qenë e bindur se në këto tema të gjithë duhet të japin maksimumin e tyre për të përmirësuar pozicionin e Kosovës. Ndërkaq, sa i përket temave të tjera të qeverisjes, sipas Ramadanit, Aleanca po bën aktivitete të pandalshme në ngritjen e zërit për nevojën për përmirësimin e jetës së qytetarëve. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›