Haradinaj të rri mënjanë politikës

Weiss nuk ka dashur ta vlerësojë vendimin e Tribunalit të Hagës për shpalljen e pafajësisë së Haradinajt, por ka folur për rolin e tij të ardhshëm në skenën politike të Kosovës.
“Haradinaj ka luajtur një rol të rëndësishëm në skenën politike të Kosovës. Ai ishte për një kohë të shkurtër kryeministër i Kosovës, post nga i cili u desh të japë dorëheqjen për shkak të presionit nga akuzat e ngritura në Hagë. Unë mendoj se për përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës, do të ishte e mençur nëse zoti Haradinaj tani nuk do të kthehej menjëherë në politikë në Kosovë. Ndoshta do të ishte më mirë të qëndronte pak mënjanë”, ka thënë Peter Weiss, në një intervistë për DeutscheWelle.
I pyetur se a do të mund të anëtarësohet Serbia në BE pa e njohur Kosovën, Weiss ka thënë se “ne gjermanët dhe evropianët u kemi bërë gjithmonë të qartë si serbëve ashtu dhe kosovarëve, qeverive në Beograd dhe Prishtinë, se mundësia për fillimin e negociatave dhe pastaj pranimi në BE mund të pasojë vetëm kur të ketë një ‘Modus-Vivendi’ të qartë, domethënë një rregullim kontraktual të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”.
“Ne nuk duam një Qipro të dytë në BE. Fakti që ne e kemi pranuar Qipron pa i zgjidhur çështjet e diskutueshme mes Qipros Veriore dhe Jugore ishte një gabim i madh”, tha ai.