E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhavit Haliti arsyeton kolegët e partisë

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka komentuar përgjimet e fundit të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe partiak, duke thënë se ai përgjim ishte i paligjshëm dhe me qëllim përçarjen e PDK-së.

Ai në një intervistë për televizionin Rrokum, ka thënë se nuk i ka pëlqyer ajo formë e komunikimit, por megjithatë i ka arsyetuar ata, duke thënë se ajo është bisedë mes miqsh, dhe është e natyrshme që miqtë të flasin edhe në atë formë.

Haliti ka thënë se beson që ato që janë thënë aty, sidomos në adresë të kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi, kanë qenë më shumë me humor se sa të vërteta.

“Unë nuk besoj që kryeministri Hashim Thaçi, mendon ashtu për Jakup Krasniqin. E kam fjalën për atë prapashtesën që ia ka shtuar emrin e tij”, ka thënë Haliti, sic transmeton IndeksOnline.

Haliti duke kritikuar veprimin e publikimit të këtyre përgjimeve, ka thënë se në çdo vend normal evropian, kjo do të konsiderohej shkelje e privatësisë, dhe do të kërkohej llogaridhënie dhe dëmshpërblim nga ata që e kanë bërë këtë.

Ai gjithashtu ka thënë se kjo nuk mund të cilësohet aferë e atij lloji sa dikush nga qeveria të jap dorëheqje.

Ndërsa krahasimin e nga ana e Murat Jasharit me aferën amerikane Watergate, ka thënë se nuk qëndron.

“Njerëzit para se ta krahasonin këtë aferë me afera tjera të mëdha nëpër botë, së pari do të duhej t’i njihnin ato, e jo vetëm të shprehen ashtu. Në ato afera ka pasur shkelje të mëdha ligjore”, ka thënë ai, ndër të tjera.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›